Praktikat e studentëve, Rektorja Sotirofski takim në ILD

Inspektori i Lartë i Drejtësisë z. Artur Metani zhvilloi një takim pune me rektorët e Universiteteve publike, respektivisht me Prof. Dr. Kseanela Sotirofski, e Universitetit “Aleksandër Moisiu” Durrës, Prof. Dr. Artan Hoxha, i Universitetit të Tiranës, Prof. Dr. Skënder Topi, i Universitetit “Aleksandër Xhuvani” Elbasan, Prof. Dr. Suzana Golemi, e Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi” dhe Prof. Roland Zisi, i Universitetit “Ismail Qemali” Vlorë.

Takimi kishte në fokus vullnetin për vendosjen e urave të bashkëpunimit konkret, në funksion të përgatitjes së studentëve me praktikën e punës dhe funksioneve të Zyrës së Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, si një nga institucionet e reja të reformës në drejtësi, përgjegjës për trajtimin e ankesave, hetimin e shkeljeve disiplinore, fillimin e procedimit disiplinor ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve të të gjitha niveleve, si dhe inspektimin institucional të zyrave të prokurorive e gjykatave.

Metani dhe rektorët bashkëndanë mendimin se zhvillimi profesional, fillestar dhe i vazhdueshëm i studentëve do jetë një ndihmesë e jashtëzakonshme, si në mbështetje të kurrikuluës arsimore, ashtu edhe për zhvillimin e kapaciteteve të studentëve me praktikën e punës së ILD-së.

Gjatë bashkëbisedimit u identifikuan disa mënyra bashkëpunimi, si përmes leksioneve të hapura në universitete nga Inspektori i Lartë i Drejtësisë dhe përfaqësues të tjerë të institucionit, përmes praktikave mësimore të studentëve pranë ILD-së, si dhe një bashkëpunimi më të gjerë e në vijimësi, përmes projekteve të përbashkëta e aktiviteteve të ndryshme në fusha me interes të përbashkët.

Bashkëpunimi i ILD-së me universitetet e Tiranës, Elbasanit, Shkodrës, Durrësit dhe Vlorës do formalizohet së shpejti me marrëveshje konkrete bashkëpunimi, ku do përcaktohen modalitetet për zbatimin e ideve të diskutuara në këtë takim pune.