Prof. Dr. Shkëlqim Fortuzi është një akademik dhe drejtues i lartë në fushën e ekonomisë dhe menaxhimit, me një përvojë të gjerë në arsimin e lartë dhe administratën publike. Aktualisht mban detyrën e Rektorit të Universitetit “A. Moisiu” në Durrës, ku udhëheq dhe menaxhon çështjet akademike dhe administrative të institucionit. Më parë ka shërbyer si Dekan i Fakultetit të Biznesit dhe pedagog i lartë në të njëjtin universitet, si dhe Drejtor i Drejtorisë Rajonale të Tatimeve në Durrës.
Ai mban titullin “Profesor Doktor” në Ekonomi dhe ka një formim të plotë akademik që përfshin doktoraturë, master shkencor dhe specializime në kontabilitet dhe financë. Fushat e tij të ekspertizës përfshijnë ekonominë, menaxhimin, kontabilitetin dhe politikat fiskale.
Prof. Fortuzi është autor i disa monografive, teksteve universitare dhe një numri të konsiderueshëm artikujsh shkencorë të botuar në revista ndërkombëtare të indeksuara. Ai dallohet për aftësi të forta drejtuese, organizative dhe komunikimi, si dhe për kontributin e tij në zhvillimin e kërkimit shkencor dhe arsimit të lartë në Shqipëri.
Zv. Rektore për Kërkimin Shkencor
Prof. Dr. Azeta Tartaraj është Zv/Rektore për Kërkimin Shkencor në Universitetin “Aleksandër Moisiu”, Durrës. Ajo është Profesore me mbi 30 vite përvojë akademike, drejtuese dhe profesionale në fushat e arsimit të lartë, kërkimit shkencor dhe inovacionit, zhvillimit institucional, administratës publike, menaxhimit të projekteve evropiane dhe bashkëpunimit ndërkombëtar.
Gjatë karrierës së saj akademike në Universitetin “Aleksandër Moisiu” Durrës, ka mbajtur një sërë funksionesh drejtuese, ndër të cilat Zv/Rektore për Kërkimin Shkencor, Dekane e Fakultetit të Biznesit dhe Përgjegjëse e Departamentit të Marketingut, duke dhënë një kontribut të rëndësishëm në zhvillimin akademik të universitetit, forcimin e kapaciteteve kërkimore, sigurimin e cilësisë dhe procesin e ndërkombëtarizimit.
Përpara angazhimit të saj në arsimin e lartë, ka ushtruar funksionin e Menaxheres së Projekteve të Bashkimit Evropian në Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mjedisit, si dhe ka mbajtur pozicione të larta drejtuese në sektorin privat si Drejtore e Përgjithshme dhe Drejtore e Marketingut dhe Shitjeve në televizionin Telenorba Shqiptare. Këto përvoja i kanë mundësuar të ndërtojë një profil të konsoliduar në menaxhimin strategjik, zhvillimin
institucional dhe bashkëpunimin ndërmjet sektorit publik dhe privat.
Në cilësinë e Zv/Rektores për Kërkimin Shkencor, ajo drejton zhvillimin strategjik të universitetit në fushat e kërkimit shkencor, inovacionit, studimeve të doktoratës, transferimit të teknologjisë dhe njohurive, sigurimit të cilësisë në kërkim, bashkëpunimit ndërkombëtar shkencor dhe zhvillimit institucional.
Prof. Dr. Azeta Tartaraj ka koordinuar dhe marrë pjesë në një numër të konsiderueshëm projektesh kombëtare dhe ndërkombëtare, të financuara nga programe të Bashkimit Evropian, si Interreg MED dhe IPA, Erasmus+, COST Actions, CEEPUS dhe programe të tjera të bashkëpunimit evropian. Ekspertiza e saj mbulon të gjithë ciklin e menaxhimit të projekteve, duke përfshirë planifikimin strategjik, hartimin e projekt-propozimeve, zbatimin, monitorimin dhe vlerësimin e ndikimit të tyre.
Është autore dhe bashkautore e mbi 40 publikimeve shkencore në revista shkencore kombëtare dhe ndërkombëtare me proces vlerësimi shkencor peer-reviewed, përfshirë botime të indeksuara në databaza ndërkombëtare prestigjoze, si dhe ka prezantuar punimet e saj në mbi 30 konferenca shkencore kombëtare dhe ndërkombëtare. Gjithashtu, është bashkautore e teksteve universitare në fushat Bazat e Marketingut, Drejtim Marketingu, Promocion, Komunikim i Integruar Marketing dhe Marketing i Avancuar, të përdorura në procesin e mësimdhënies në arsimin e lartë.
Prof. Dr. Azeta Tartaraj është anëtare e bordeve editoriale dhe komiteteve shkencore të disa revistave shkencore ndërkombëtare. Gjithashtu, kontribuon në nivel kombëtar si anëtare e Bordit Drejtues të Dhomës Kombëtare të Ndërmjetësimit.
Fushat e saj të kërkimit dhe ekspertizës përfshijnë qeverisjen e kërkimit shkencor, politikat e arsimit të lartë, inovacionin dhe transferimin e teknologjisë, menaxhimin e projekteve evropiane, zhvillimin institucional, marketingun, zhvillimin e qëndrueshëm dhe bashkëpunimin ndërkombëtar. Në veprimtarinë e saj akademike dhe drejtuese ajo është e angazhuar në promovimin e një universiteti modern evropian, duke kontribuar në forcimin e ekselencës në kërkim shkencor, inovacion, partneritete ndërkombëtare dhe ndikimin e arsimit të lartë në zhvillimin e shoqërisë.
Zv. Rektor për Anën Mësimore
Prof. Dr. Edi Puka është diplomuar në vitin 2003 pranë Fakultetit të Shkencave të Edukimit në Universitetin “Aldo Moro”, Bari, Itali. Në vitin 2007, pranë të njëjtit universitet, fiton gradën “Doktor”, në Shkencat e Edukimit. Në vitin 2006 përzgjidhet si Dekan i Fakultetit të Edukimit, pranë Universitetit “Aleksandër Moisiu”, Durrës, ku më pas ka ushtruar detyrën e Zv. Rektorit dhe Rektorit.
Gjatë viteve 2012-2025, ka zhvilluar aktivitetin e tij akademik pranë Departamentit të Psikologjisë, Edukimit dhe Sporteve, në Universitetin Europian të Tiranës.
Aktualisht, ushtron detyrën e Zv. Rektorit pranë Universitetit “Aleksandër Moisiu”, Durrës.