Fjala e Rektorit

Mirë se vini në Universitetin “Aleksandër Moisiu” Durrës!

Në këtë vit të ri akademik, unë ju ftoj  të shfaqni së bashku me ne potencialin dhe energjitë tuaja për të ndryshuar dhe përmirësuar akoma më tepër universitetin tonë, Durrësin dhe Shqipërinë! Përgjatë këtij viti akademik ne kemi mundësinë të eksplorojmë se si të zhvillojmë dhe zbatojmë koncepte të tilla, si drejtësi sociale, integritet dhe përkushtim në mënyrë që të sigurojmë një të ardhme të ndritur dhe respekt në çdo aspekt të jetës sonë.

Universiteti “Aleksandër Moisiu”, Durrës, ju fton t’i jepni përparësi studimit dhe përmirësimit tuaj të vazhdueshëm. Këtu në Universitetin “Aleksandër Moisiu”, Durrës, ne i mbajmë lart vlerat e marrëdhënieve njerëzore që kemi me studentët tanë. Idetë dhe vlerat që përforcojnë zhvillimin individual për secilin student janë përparësia jonë për të ofruar më të mirën përgjatë vitit akademik i cili sapo ka filluar.

Ne, si staf akademik i këtij universiteti, dëshirojmë dhe urojmë që të mund të kontribuojmë në të ardhmen tuaj, me qëllim që të zhvilloni cilësitë tuaja, për t’u bërë aktorët kryesorë të shoqërisë sonë. Duke përmirësuar veten tonë, ne ofrojmë mundësinë e zhvillimit të mëtejshëm të shoqërisë dhe vendit tonë.

Të dashur  studentë, unë uroj që dijet të cilat ju do të përfitoni gjatë viteve në universitet t’i vini në praktikë për një të ardhme të ndritur. Ju mirëpresim me lumturi dhe entuziazëm në këtë fillim viti të ri akademik! Ju uroj suksese në rrugën tuaj të dijes dhe mbi të gjitha të shkëlqeni kurdoherë në atë çfarë ju do të bëni në jetën tuaj!

Prof. Dr. Kseanela Sotirofski Rektor