
Në ambientet e Bibliotekës Universitare, më datë 30.04.2025, Dr. Drita Isufaj, në kuadër të aktiviteteve të Departamentit të Letërsisë, organizoi takimin: “Magjia e përkthimit dhe mësimdhënies në letërsinë hispanike”.
Të ftuarat e nderuara, Prof. Asoc. Dr. Flavia Kaba, fituese e çmimit “Përkthimi më i mirë i vitit 2021”, Përgjegjëse e Departamenti i Gjuhes Spanjolle. FGJH. UT dhe lektorja Lucía Izquierdo Diez ndanë me studentët dhe të pranishmit përvojat e tyre shumëvjeçare në përkthimin dhe mësimdhënien e letërsisë në gjuhën spanjolle.
Ky takim, më shumë se një diskutim akademik — ishte një festë e përkushtimit ndaj fjalës, një dëshmi se si përkthyesi bëhet urë mes kulturave dhe se si mësimdhënësi mbjell frymëzim që tejkalon kufijtë gjuhësorë.
Nga Zafón tek Julia Navarro, Bazterrica, Ocampo, nga teoria në praktikë, biseda rrodhi natyrshëm ndërmjet kujtimeve, sfidave dhe dashurisë për letërsinë që na bën më njerëzorë.
Aktiviteti u kthye në një kujtesë të fuqishme për rolin jetik që kanë përkthimi dhe arsimi në ndërtimin e një bote më të ndjeshme e të ndriçuar nga dija dhe dialogu ndërkulturor.
U zgjodh muaji prill, java e fundit e tij, si një kohë kur sytë dhe vëmendja e gjithë botës drejtohet kah libri dhe veçanërisht kah letërsia spanjolle, duke qenë se 23 Prilli është zgjedhur si Dita Botërore e Librit edhe për shkak se në këtë datë është ndarë nga jeta një kolos i letërsisë spanjolle dhe botërore si Miguel de Cervantes.
Falenderime nga zemra studenteve të mrekullueshme të Gjuhë – Letërsisë – Fakulteti i Edukimit – UAMD