Alumni- Rudina Mema

Rudina Mema

Alumni "UAMD" - "Rrënjët e Suksesit"!

FAKULTETI I EDUKIMIT

Biografi

 Jam Rudina Mema. Studimet e larta i nisa në vitin 2013, në moshën 36-vjeçare, në Universitetin e qytetit tim të lindjes, “Aleksandër Moisiu”, Durrës; Fakulteti i Edukimit, dega Arsim Fillor. Studimet Bachelor i mbarova me rezultate të larta. Në vitin 2017, u regjistrova në programin e studimit Master i Shkencave në Mësuesi për Arsimin Fillor, po në këtë universitet. Studimet i përfundova më 08.07.2019 gjithashtu, me rezultate të larta. Kam aplikuar dy herë në Portalin “Punë të mbarë”, të shpallur nga kryeministri Rama, si studente e ekselencës, ku m’u ofruan disa vende pune në Administratën Publike.Për t’u punësuar në profilin tim mësuesi, u licensova në Provimin e Shtetit me rezultat shumë të mire 92%, nota 9 (nëntë). Më pas konkurrova në Portalin “Mësues për Shqipërinë” dhe rezultova fituese ndër vendet e para. Aktualisht punoj si mësuese e Arsimit Fillor, në shkollën “Vëllezërit Haradinaj”, Rrashbull; Durrës.

Si ju kanë ndihmuar studimet në UAMD në zhvillimin e karrierës tuaj?

  • Vitet e studimit në universitetin “Aleksandër Moisiu“, kanë lënë gjurmë të thella në formimin tim akademik. Paçka, se isha në moshën 36-vjeçare, mora përsipër t’i rinis edhe njëherë studimet e larta. Me vullnetin dhe pasionin tim, përkrahjen, bashkëpunimin dhe nën udhëheqjen e pedagogëve të respektuar, ia dola të isha një shembull i mirë për t’u ndjekur edhe nga fëmijët e mi. Ne ishim tre studentë në familje, unë dhe dy fëmijët. Mbarëvajtja ime akademike ishte për ta një nxitëse e mirë. Ata kuptuan jo vetëm që të nxënët nuk njeh moshë, por edhe faktin që puna e palodhur dhe sakrifica shpërblehen. Me dëshirë, pasion e vullnet mund të arrish gjithçka, sidomos nëse udhëhiqesh nga pedagogë seriozë e të përkushtuar. Seminaret i përngjanin bisedave dhe ligjërimeve të këndshme, ku shkëmbimi i eksperiencave kishte rolin kryesor. Kjë është edhe arsyeja kryesore, që ende trajnimet e mia profesionale i shoh të arsyeshme t’i zhvilloj në UAMD, Qendrën për Edukim në Vazhdim, përmes moduleve të vlefshme në profesionin tim. Me plot bindjen them, se thënia e Piazhesë: “Qëllimi kryesor i arsimit është të krijojë njerëz, që janë të aftë të bëjnë gjëra të reja, jo thjeshtë të përsëritin atë që kanë bërë brezat e tjerë; njerëz që janë krijues, shpikës e zbulues, të formojë mendje, që të mund të jenë kritike, që mund të verifikojnë dhe jo të pranojnë çdo gjë që u jepet”, i rri bukur Universitetit tim!

Një mesazh për studentët aktualë dhe maturantët që po mendojnë të vazhdojnë studimet në UAMD.

  • Si një bijë e lindur dhe e rritur në Durrës, jam krenare që kam dalë prej Tij! Jam krenare dhe u jam falënderuese ish-pedagogeve dhe pedagogëve të mi! Mundi dhe sakrifica ime ia vlejti! Ftoj të gjithë gjimnazistët maturantë të bëhen pjesë e ekipit të madh e të suksesshëm të UAMD-së! Të dashur të rinj, mendojeni UAMD-në si një anije të madhe lundruese, që ju çon drejt shtigjeve të reja, drejt së ardhmes së ndritur, drejt suksesit të garantuar! Durrësi, qyteti i lashtë, qyteti i historisë si çdo vit ju mirëpret, jo vetëm për detin, por edhe për realizimin e ëndrrave Tuaja!

This will close in 0 seconds

sqAlbanian