Në datat 8–10 maj 2025, në Universitetin “Aleksandër Moisiu” në Durrës, u zhvillua një aktivitet
tre-ditor në kuadër të projektit ndërkombëtar “Gjuha e Urrejtjes: Demokracia dhe të Rinjtë”.
Ky projekt është pjesë e bashkëpunimit midis Ministrisë së Arsimit dhe Sportit të Republikës së
Shqipërisë dhe Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit të Kosovës, dhe ka
si objektiv kryesor luftën kundër gjuhës së urrejtjes dhe intolerancës përmes edukimit mediatik
dhe fuqizimit të të rinjve.
Takimi i grupit të punës u zhvillua në kuadër të Aktiviteti nr. 2 në UAMD, ku morën pjesë:
Prof.Asoc.Dr. Renata Tokrri, Prof.Asoc.Dr. Eva Teqja (Allushi), Prof.Asoc.Dr. Artan Nimani,
Prof.Asoc.Dr. Kimete Canaj.
Në ditën e pare, u prezantua qëllimi, metodologjia dhe rezultatet e pritshme të projektit. Diskutimi
u përqendrua në rëndësinë e analizimit të gjuhës së urrejtjes në Shqipëri dhe Kosovë, si dhe në
ndërtimin e një metodologjie të qartë për monitorimin dhe analizën e saj.
Në vijim, u zhvillua një sesion teknik mbi strukturën metodologjike të projektit, ku u përcaktuan
komponentët kyç dhe kriteret për analizën e rasteve përmes procesit kërkimor dokumentar.
Në ditën e dytë, diskutimet u fokusuan në analizimin e faktorëve të brendshëm dhe të jashtëm që
ndikojnë në zbatueshmërinë e projektit.
Në takim, u theksuan elementë si organizimi i brendshëm,
kapacitetet e ekipit dhe rëndësia e bashkëpunimit me aktorët lokalë në të dy vendet. Më pas,
pjesëmarrësit u angazhuan në diskutime rreth mundësive për institucionalizimin e rezultateve të
projektit përmes partneriteteve dhe mekanizmave të politikbërjes.
Dita e tretë, nisi me një përmbledhje të punës së realizuar më parë dhe vijoi me punën në grupe
për hartimin e një drafti të përmbledhjes metodologjike dhe analitike të projektit.
Organizatorët planifikuan hapat e mëtejshëm për përfundimin e dokumentacionit, shpërndarjen e
detyrave dhe përgatitjen për prezantimin publik të rezultateve. Takimi u mbyll me një seancë
reflektuese dhe planifikimi për aktivitetin pasues që do të mbahet në qytetin e Gjakovës.
Ky aktivitet përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt ndërgjegjësimit dhe fuqizimit të të rinjve për
të luftuar diskriminimin dhe gjuhën e urrejtjes, dhe vë në pah rëndësinë e bashkëpunimit rajonal
në promovimin e vlerave demokratike.