UAMD nis zbatimin e projektit Erasmus+ VR-IT për modernizimin e arsimit profesional

Universiteti “Aleksandër Moisiu” Durrës ka nisur zyrtarisht zbatimin e projektit Erasmus+ KA220-VET “IT Solutions through VR Integration (VR-IT)”, një projekt ndërkombëtar që synon modernizimin e arsimit profesional përmes integrimit të teknologjive të avancuara digjitale, si Realiteti Virtual (VR), modelimi 3D dhe aplikacionet mobile në procesin mësimor. Projekti realizohet në bashkëpunim me institucione arsimore dhe organizata partnere nga Çekia, Kroacia, Turqia, Portugalia dhe Sllovakia, duke krijuar një platformë të fortë bashkëpunimi ndërkombëtar në fushën e inovacionit arsimor dhe teknologjisë.

Qëllimi kryesor i projektit VR-IT është krijimi i një Laboratori Virtual IT, i cili do t’u mundësojë studentëve  të përfitojnë nga mësimi praktik në një mjedis virtual dhe interaktiv. Përmes këtij laboratori, përdoruesit do të kenë mundësi të zhvillojnë aftësi teknike dhe digjitale, të punojnë me simulime realiste dhe të aplikojnë njohuritë teorike në situata praktike, duke rritur kështu cilësinë dhe efektivitetin e procesit mësimor.

Në kuadër të projektit, Universiteti “Aleksandër Moisiu” Durrës ka një rol të rëndësishëm në zhvillimin e përmbajtjeve mësimore dhe skenarëve edukativë për përdorimin e VR në arsim. UAMD do të drejtojë paketën e punës që lidhet me dizajnimin e përmbajtjes edukative si dhe do të kontribuojë në zhvillimin e moduleve VR, aktivitetet e testimit dhe integrimin e rezultateve në kurrikula.

Një nga aktivitetet kryesore që do të organizohet në ambientet e UAMD është “Educational Content & Scenario Design Workshop”, i cili do të mbahet në qershor dhe do të përfshijë staf akademik dhe studentë nga institucionet partnere. 

Projekti forcon më tej ndërkombëtarizimin e universitetit dhe rolin e tij si një aktor aktiv në zhvillimin e arsimit bashkëkohor dhe inovativ.

sqAlbanian