ZERO C në Bari: Inovacion për Transport Detar Pa Karbon

Më 26–27 maj 2025, projekti @ZERO C organizoi një aktivitet dyditor në ITS Academy Mobilità në Bari, Itali, duke mbledhur profesionistë të industrisë dhe aktorë rajonalë për të ndarë përvoja dhe qasje inovative në mësimdhënie drejt një të ardhmeje pa karbon në transportin dhe logjistikën detare.

Fokusi kryesor i aktivitetit ishte forcimi i sistemit të arsimit dhe formimit profesional (VET), për të pajisur brezat e rinj me aftësitë e nevojshme të gjelbra për sektorin detar. Takimi solli ndër të tjera kontributin e ARTI Puglia mbi rolin strategjik të formimit profesional në nxitjen e inovacionit rajonal, shembuj konkretë nga drejtues të ITS për ndërlidhjen efektive të akademisë me industrinë, si dhe sesione praktike për aplikimin e metodologjisë së të nxënit të bazuar në problem (PBL) dhe bashkëhartimin e moduleve trajnuese. Po ashtu, pjesëmarrësit morën pjesë në diskutime mbi Paketën e Punës 3, duke analizuar sesi përmbajtja mësimore dhe pajisjet teknologjike të reja mund të mbështesin qëllimet e dekarbonizimit në arsim. 

ZERO C do të vazhdojë të punojë për një sistem arsimor që fuqizon të rinjtë dhe mbështet një të ardhme të qëndrueshme në transportin detar.

sqAlbanian