UAMD zgjeron rrjetin e bashkëpunimit ndërkombëtar me Universitetin Politeknik të Barit

Rektori i Universitetit “Aleksandër Moisiu”, Prof. Dr. Shkëlqim Fortuzi, zhvilloi një takim zyrtar me Rektorin e Universitetit Politeknik të Barit, Prof. Dr. Umberto Fratino, në kuadër të forcimit të marrëdhënieve akademike dhe institucionale ndërmjet dy universiteteve. Gjatë takimit, dy Rektorët shkëmbyen mendime mbi mundësitë konkrete të bashkëpunimit akademik dhe kërkimor, perspektivat për zhvillimin e projekteve të përbashkëta, si dhe rëndësinë e zgjerimit të bashkëpunimit ndëruniversitar në nivel europian.

Kjo vizitë vjen si vazhdimësi e kontakteve dhe takimeve të mëparshme mes drejtuesve të dy institucioneve, përfshirë edhe vizitën zyrtare të Rektorit të Universitetit Politeknik të Barit në Universitetin “Aleksandër Moisiu”. Ajo u kurorëzua me nënshkrimin e një marrëveshjeje bashkëpunimi, e cila shënon një hap të rëndësishëm drejt forcimit dhe zgjerimit të partneritetit ndëruniversitar. Në këtë kuadër, të dy institucionet kanë identifikuar dhe ngritur grupe përkatëse pune, të cilat do të angazhohen në mënyrë të koordinuar për të përcaktuar fushat specifike të bashkëpunimit dhe për të hartuar një plan konkret veprimesh për zbatimin e marrëveshjes.

Fokusi kryesor i bashkëpunimit do të jetë zhvillimi i projekteve të përbashkëta akademike dhe kërkimore, përfshirë pjesëmarrjen në programe europiane dhe iniciativa ndërkombëtare, si dhe zgjerimi i mundësive për mobilitet dhe shkëmbime ndërmjet stafit akademik dhe studentëve. Një rëndësi e veçantë do t’i kushtohet gjithashtu hapjes së rrugëve për programe të përbashkëta studimi dhe krijimit të mundësive për diploma të dyfishta (double degree), duke e bërë partneritetin më funksional dhe më të dobishëm për komunitetin akademik dhe studentor. Ky takim dhe marrëveshja e bashkëpunimit përfaqësojnë një zhvillim të rëndësishëm në strategjinë e ndërkombëtarizimit të Universitetit “Aleksandër Moisiu”, duke synuar rritjen e cilësisë së arsimit të lartë, forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar dhe krijimin e mundësive të reja për zhvillim akademik, kërkimor dhe profesional.

sqAlbanian