UAMD Partner në Mbrojtjen e Mjedisit dhe Menaxhimin e Integruar të Mbetjeve në Bashkinë Durrës

Ditën e sotme u lançua projekti “Mbrojtja e Mjedisit Nëpërmjet Menaxhimit të Integruar të Mbetjeve në Bashkinë Durrës” projekt i rëndësishëm i drejtuar nga Bashkia Durrës, në të cilin UAMD është partner.
Ky projekt do të stimulojë zhvillimin e qendrueshëm ekonomik dhe mbrojtjen e mjedisit nëpërmjet promovimit të riciklimit dhe menaxhimit të mbetjeve.


Rektori i UAMD, Prof. Dr. Shkëlqim Fortuzi falënderoi Bashkinë Durrës, në veçanti Kryetaren e Bashkisë, znj. Emiriana Sako, për vëmendjen e madhe e të merituar që i kushton çështjes së menaxhimit të mbetjeve, por njëkohësisht edhe për gatishmërinë e madhe, përkushtimin dhe vullnetin e rëndësishëm për të bashkëpunuar me UAMD dhe ndihmesën e madhe që vazhdon të japë në projektet e përbashkëta të cilat i shërbejnë qytetit, studentëve dhe zhvillimit të qendrueshëm në të gjithë sektorët e jetës së qytetit dhe banorëve.


Kryetarja e Bashkisë, znj. Sako u shpreh se ky projekt është një vlerë për qytetin e ndër të tjera do sigurojë digjitalizimin e të dhënave mbi menaxhimin e mbetjeve dhe në bashkëpunim me UAMD do organizohet strategjia e rritjes së ndërgjegjësimit publik, edukimit mjedisor qytetar dhe ofrimi i ekspertizës akademike.


Rektori Fortuzi falënderoi të gjithë partnerët e tjerë të angazhuar në këtë projekt të rëndësishëm duke uruar suksese dhe bashkëpunim të mëtejshëm edhe në projekte të tjera, e duke i siguruar që te UAMD do gjejnë një partner serioz, të përkushtuar, profesional, me studentë të gatshëm e me dëshirë për të kontribuar dhe me një staf akademik që do nderojë çdo sipërmarrje e angazhim të përbashkët.

sqAlbanian