
Sot, Rektori i Universitetit “Aleksandër Moisiu” Durrës Prof. Dr. Shkëlqim Fortuzi dhe Zv.Rektore Prof. Dr. Azeta Tartaraj, paten kënaqësinë të presin Shkëlqesinë e Saj, Ambasadoren e Republikës së Shqipërisë në Rumani, znj. Enkeleda Baduni Merkuri, e shoqëruar nga Presidentja e Academy of Romanian Scientists, Prof. Doina Banciu.
Rektori i UAMD, Prof. Dr. Shkëlqim Fortuzi, falënderoi ambasadoren për mbështetjen e vazhdueshme në procesin e ndërkombëtarizimit të universitetit tonë dhe shprehu vlerësimin e tij për interesin e Prof. Banciu në krijimin e urave të bashkëpunimit me Academy of Romanian Scientists dhe universitetet partnere të saj.
Takimi u fokusua tek mundësitë për projekte të përbashkëta shkencore, akademike dhe kulturore, duke forcuar edhe më tej rolin e UAMD si një qendër e hapur ndaj bashkëpunimeve ndërkombëtare dhe rajonale.
Universiteti “Aleksandër Moisiu” mbetet i përkushtuar në ndërtimin e partneriteteve strategjike që kontribuojnë në zhvillimin e arsimit, shkencës dhe inovacionit.