Prof.Dr. Shkëlqim Fortuzi takim me personalitete nga Asesoriati i Shëndetësisë i Rajonit të Piemontes, Itali

Ditën e sotme, Rektori i UAMD, Prof. Dr. Shkëlqim Fortuzi, priti një përfaqësi me personalitete të larta nga Asesoriati i Shëndetësisë i Rajonit të Piemontes, Itali, asesoriat me 64 spitale italiane, të kryesuar nga z. Federico Riboldi, Ministër i Rajonit. Gjatë pritjes u diskutua mbi një sërë mundësishë të bashkëpunimit akademik me fokus të veçantë në Fakultetin e Shkencave Profesionale, në fushën e studimeve mjekësore, për kryerjen e praktikave profesionale në institucione shëndetësore në Piemonte, Itali, duke u ofruar studentëve një përvojë të re edukative dhe praktike. Një aspekt kyç i bashkëpunimit është mundësia që studentët e UAMD të kenë qasje në sistemin shëndetësor Italian përmes programeve të përbashkëta dhe ato të strukturuara të praktikës. Kjo iniciativë madhore e tejet e rëndësishme synon të promovojë mobilitetin profesional dhe të zhvillojë më tej kompetencat e fituara gjatë trajnimit të profesionistëve të ri. Në takim u diskutua edhe bashkepunimi akademik me universitetet në Piemonte, me qëllim arritjen e diplomave të përbashkëta, pasurimin e kurrikulave akademike, nxitjen e mobilitetit profesional, si edhe shkëmbimet akademike dhe kulturore ndërmjet UAMD dhe institucioneve të arsimit të lartë në Itali.

sqAlbanian