
Të gjitha universitetet partnere të projektit “Arsimi i Kombinuar në Universitetet e Ballkanit Perëndimor/
Blended Education in Western Balkans Universities” (BEWBU), u mblodhën në Universitetin TAMK në
Finlandë mes datave 8-10 prill 2025, në workshop-in e parë lidhur me analizën krahasuese të arsimit të
kombinuar (blended education) në institucionet e arsimit të lartë në Ballkanin Perëndimor dhe vendet
e Bashkimit Evropian. Ky trajnim u çel nga mikpritësit e universitetit TAMK dhe nga përfaqësuesit e
UAMD, që është lider i këtij projekti. Përfaqësuesi i TAMK, Prof. Juha Lahtinen u uroi mirëseardhjen të
gjithë pjesëmarrësve dhe tha që projekti ka hyrë në një fazë të re trajnimesh që do të ndikojnë
përqasjen e universiteteve për arsimin e kombinuar. Përfaqësuesja e UAMD, Prof. Asoc. Dr. Elda Tartari
vlerësoi ecurinë e deritanishme të projektit dhe falënderoi partnerët për bashkëpunimin e tyre në këtë
vit të parë të zbatimit të projektit. Në këtë takim të gjitha grupet e punës bënë një analizë krahasuese të
mësimit të kombinuar në vendet e Ballkanit perëndimor dhe në vendet e BE, u identifikuan nevojat për
trajnime në lidhje me mësimin hibrid dhe të kombinuar, si edhe u shkëmbyen praktikat më të mira të
partnerëve të BE për këtë qasje në arsimin e lartë.
Ky ishte workshopi i parë i zhvilluar nga partnerët finlandezë. Ndërkohë, gjatë vitit 2025 do të zhvillohen
trajnime nga partnerët e Universitetit të Leonit në Spanjë dhe Universitetit West në Suedi.
Projekti BEWBU, pjesë e programeve të Erasmus +, synon të mbështesë, të promovojë dhe të rrisë
kapacitetet në aplikimin e arsimit të kombinuar në Shqipëri dhe në rajonin e Ballkanit Perëndimor.
Partnerë nga Ballkani Perëndimor:
Universiteti “Aleksandër Moisiu”, UAMD, Shqipëri; (Lider)
Universiteti “Fan Nolit”, UNIKO, Shqipëri;
Universiteti i Mostarit, SUM, Bosnje dhe Hercegovinë;
Universiteti i Banja Lukës, UNIBL, Bosnje dhe Hercegovinë;
Universiteti i Malit të Zi, UOM, Mali i Zi;
Universiteti “Donja Gorica”, UDG, Mali i Zi;
Universiteti i Prishtinës, UP, Kosovë;
Universiteti “Fehmi Agani”, UGJFA, Kosovë.
Partnerë nga Bashkimi Evropian:
Universiteti i Shkencave të Aplikuara Tampere, TAMK, Finlandë;
Universiteti i Leon, ULE, Spanjë;
University West, HV, Suedi.
Partnerë të asociuar:
Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, MESTI, Kosovë;
Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Inovacionit e Malit të Zi, MPNI, Mali i Zi;
Ministria e Arsimit, Shkencës, Kulturës dhe Sportit Hercegovinë-Kanton Neretva, MONKS HNK, Bosnje
dhe Hercegovinë.