UAMD udhëheq projektin Erasmus+, “Arsimi i Kombinuar në Universitetet e BallkanitPerëndimor” (Blended Education in the Western Balkans Universities) – Ndërkombëtarizim
Universiteti Aleksandër Moisiu Durrës mirëpriti takimin e parë fizik dy-ditor të projektit “Arsimi i
Kombinuar në Universitetet e Ballkanit Perëndimor (Bleded Education in the Western Balkans
Universities – BEWBU), një projekt në kuadër të programit evropian Eramus+. Takimi u zhvillua më 22 dhe 23 janar 2025 me pjesëmarrjen e 11 universiteteve partnere në projekt, tetë prej të cilëve nga Ballkani Perëndimor dhe tre nga Bashkimi Evropian, si edhe tre Ministri Arsimi të Ballkanit Perëndimor. UAMD është lider i këtij projekti.
“Të nderuar partnerë, ju falënderoj për praninë tuaj sot në Durrës. Ky është fillimi i një bashkëpunimi me ju në kuadër të Erasmus+ dhe, pse jo, edhe i bashkëpunimeve të reja dypalëshe. Tek UAMD do të gjeni përherë një partner të besueshëm, të gatshëm për të bashkëpunuar me ju në të ardhmen,” u shpreh ndër të tjera Prof. Fortuzi.
Rektori i UAMD, Prof. Dr. Shkëlqim Fortuzi, mirëpriti partnerët e projektit, duke theksuar se kjo është pikënisja e një bashkëpunimi të frytshëm trevjeçar.
Në emër të partnerëve nga Bashkimi Evropian, përshëndeti Prof. Asoc. Dr. Gunnar Peterson nga Universiteti West në Suedi. Ai nënvizoi se për shkak të ndryshimeve të vazhdueshme në shoqëri dhe arsim, ka një nevojë të madhe për përmirësime. “Shoqëria dhe arsimi, por edhe edukimi akademik, kanë ndryshuar dhe kanë nevojë të përmirësohen. Pikërisht këtë synon ky projekt,” tha Prof. Peterson.
Nga ana tjetër, në emër të partnerëve nga Ballkani Perëndimor, përshëndeti Prof. Dr. Tamara Pribišev Beleslin nga Universiteti i Banja Lukës, Bosnje-Hercegovinë. “Ky projekt është dëshmi se partneriteti dhe bashkëpunimi mund të hapin dyer të reja. Për më tepër, ai kontribuon në zgjerimin e sistemit tonë arsimor, si në nivel lokal ashtu edhe në atë rajonal,” theksoi Prof. Beleslin.
Ndërkohë, koordinatorja e përgjithshme e këtij projekti, Prof. Asoc. Dr. Elda Tartari, prezantoi hartën rrugore për tre vitet në vijim. Gjatë prezantimit, ajo shpjegoi synimet dhe objektivat e bashkëpunimit, të cilat bazohen në standardet më të larta të programit Erasmus+. Ajo nënvizoi se, në bazë të punës së këtij grupi profesionistësh, priten produkte dhe politika që do të ndikojnë në cilësinë e sistemeve arsimore të vendeve pjesëmarrëse. Këto produkte, sipas saj, do të shërbejnë si model për universitetet e tjera.
Projekti BEWBU Erasmus forcon arsimin e kombinuar. Për më tepër, ai përmirëson ndërkombëtarizimin dhe promovon inovacionin në rajon. Si rezultat, ai krijon mundësi të reja për studentët, stafin akademik dhe institucionet arsimore.
Partnerë nga Ballkani Perëndimor:
Universiteti “Aleksandër Moisiu”, UAMD, Durrës, Shqipëri;
Universiteti “Fan Nolit”, UNIKO, Shqipëri;
Universiteti i Mostarit, SUM, Mostar, Bosnje dhe Hercegovinë;
Universiteti i Banja Lukës, UNIBL, Bosnje dhe Hercegovinë;
Universiteti i Malit të Zi, UOM, Podgoricë, Mali i Zi;
Universiteti “Donja Gorica”, UDG, Podgoricë, Mali i Zi;
Universiteti i Prishtinës, UP, Kosovë;
Universiteti “Fehmi Agani”, UGJFA, Gjakovë, Kosovë
Partnerë nga Bashkimi Evropian:
Universiteti i Shkencave të Aplikuara Tampere, TAMK, Finlandë;
Universiteti i Leon, ULE, Leon, Spanjë;
University West, HV, Trollhattan, Suedi.
Partnerë të asociuar:
Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, MESTI, Kosovë
Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Inovacionit e Malit të Zi, MPNI, Mali i Zi Ministria e Arsimit, Shkencës, Kulturës dhe Sportit Hercegovinë-Kanton Neretva, MONKS HNK, Bosnje
dhe Hercegovinë.