Përshëndetje! Jam Aishe Dervishanji. Unë kam përfunduar studimet e mia Bachelor në vitin 2018 dhe ato Master në vitin 2020 pranë UAMD. Pas një shkëputjeje dyvjeçare, vijova studimet me një vit në shkollën e avokatisë. Aktualisht, prej tetë muajsh, ushtroj profesionin si avokate në qytetin e Durrësit dhe njëkohësisht jam aplikante në platformën “Deputeti që duam”, (kandidate e mundshme) ku synoj të kontribuoj më tej në shoqëri,për të qenë zëri i shumë qytetarëve,për të dëgjuar problematikat e tyre si dhe për ti ardhur në ndihmë me zgjidhje konkrete.
Si ju kanë ndihmuar studimet në UAMD në zhvillimin e karrierës tuaj?
Studimet në Universitetin “Aleksandër Moisiu” Durrës kanë qenë një bazë e fortë për zhvillimin e karrierës sime profesionale. Ato më kanë pajisur me njohuritë e nevojshme dhe më kanë forcuar aftësitë analitike dhe kritike, të cilat janë të domosdoshme në profesionin e avokatit. Përmes profesorëve të përkushtuar dhe metodave moderne të mësimdhënies, kam përfituar jo vetëm njohuri teorike, por edhe praktike, të cilat më kanë dhënë vetëbesimin për të përballuar sfidat e tregut të punës. UAMD më ka ndihmuar të ndërtoj një themel të sigurt profesional, duke më dhënë mundësinë për të zhvilluar aftësitë e mia dhe për të qenë konkurruese në fushën e drejtësisë.
Një mesazh për studentët aktualë dhe maturantët që po mendojnë të vazhdojnë studimet në UAMD.
UAMD është vendi ku ju mund të filloni të ndërtoni rrugëtimin tuaj drejt suksesit profesional. Me një ambient mbështetës dhe një staf pedagogjik të përkushtuar, ky universitet ofron shumë mundësi për t’u rritur dhe për t’u zhvilluar si individë dhe profesionistë. Shfrytëzojini këto vite për të përvetësuar njohuritë dhe për të ndjekur pasionet tuaja, sepse ky është momenti për të investuar në të ardhmen tuaj. Besoni te vetja dhe angazhohuni plotësisht, sepse puna dhe përkushtimi juaj do të shpërblehen me mundësi të pafundme. Ju falënderoj për vëmendjen dhe për mundësinë për të kontribuar në këtë iniciativë inspiruese.