𝐍𝐞̈𝐧𝐬𝐡𝐤𝐫𝐮𝐡𝐞𝐧 𝐦𝐚𝐫𝐫𝐞̈𝐯𝐞𝐬𝐡𝐣𝐞 𝐩𝐞̈𝐫 𝐡𝐚𝐩𝐣𝐞𝐧 𝐞 𝐝𝐢𝐬𝐚 𝐩𝐫𝐨𝐠𝐫𝐚𝐦𝐞𝐯𝐞 𝐭𝐞̈ 𝐩𝐞̈𝐫𝐛𝐚𝐬𝐡𝐤𝐞̈𝐭𝐚 𝐦𝐞 𝐔𝐧𝐢𝐯𝐞𝐫𝐬𝐢𝐭𝐚’ 𝐏𝐨𝐥𝐢𝐭𝐞𝐜𝐧𝐢𝐜𝐚 𝐝𝐞𝐥𝐥𝐞 𝐌𝐚𝐫𝐜𝐡𝐞, 𝐀𝐧𝐤𝐨𝐧𝐚, 𝐈𝐭𝐚𝐥𝐢.

Ditën e sotme, në një takim e pritje të veçantë nga Rektori i UAMD, Prof. Dr. Shkëlqim Fortuzi u zhvillua nënshkrimi i tre marrëveshjeve të bashkëpunimit midis UAMD dhe Universita’ Politecnica delle Marche, Ankona, Itali; Qendra për Kërkimin dhe Trajnimin në Kirurgjinë Regjenerative – Lipofilling Academy, Itali, si edhe me kompaninë EVAMED, Itali.
 
Universita’ Politecnica delle Marche, një prej universiteteve më prestigjoze dhe të suksesshme në Itali u përfaqësua nga vetë Rektori Prof. Gian Luca Gregori, ndërsa Qendra për Kërkimin dhe Trajnimin në Kirurgjinë Regjenerative – Lipofilling Academy nga Prof. Michele Riccio, Zv/President i Akademisë dhe Prof. Pier Camillo Parodi doktor në Lipofilling Academy si edhe Profesor në Universitetin e Udines, Itali.
EVAMED u përfaqësua nga bashkëthemeluesi i kompanisë Dr. Vincenzo Picciolo së bashku me disa kolegë të tjerë.
 
Marrëveshjet e nënshkruara i shërbejnë procesit të hapjes së programeve të dyfishta në shkenca mjekësore dhe programeve në të gjitha njësitë kryesore të UAMD, si edhe është një hap tejet i rëndësishëm në procesin e ndërkombëtarizimit të UAMD-së. Marrëveshjet e nënshkruara sot forcojnë kërkimin shkencor e shtrojnë rrugën për diploma të dyfishta në shumë disiplina, projekte të përbashkëta, praktika mësimore e trajnime për studentët si edhe shkëmbime të stafit akademik.
 
Këto marrëveshje shërbejnë jo vetëm për forcimin e ofertës akademike të UAMD-së por forcojnë edhe lidhjen e ngushtë me institucionet më të suksesshme të shtetit tonë mik, Italisë, me të cilin UAMD tashmë ka një bashkëpunim shumë të frytshëm përmes emrave më në zë të akademisë, si Sapienza, Tor Vergata, Genova, e tashmë edhe Universita’ Politecnica delle Marche, Ankona, Itali.
 
UAMD po punon me ritme të shpejta për rrjetëzimin ndërkombëtar në mënyrë që të konsolidohet edhe më shumë si një faktor i rëndësishëm kombëtar, rajonal e më gjerë, e mbi të gjitha t’i ofrojë studentëve një mësimdhënie cilësore, dhe përgatitje akademike me standarde evropiane dhe ndërkombëtare.

Marrëveshja me Universita’ Politecnica delle Marche konsiston në:

  • Programet të dyfishta dhe të përbashkëta në fusha multidisiplinore për të gjitha programet e përafërta midis dy universiteteve tona;
  • Programe të reja duale në shkencat mjekësore;
  • Bashkëpunim në projekte kërkimore dhe iniciativa në fushën e shkencave mjekësore, biznes, teknologji informacioni, etj,;
  • Shkëmbimi dhe lehtësimi i praktikave profesionale dhe vendeve të punës;
  • Shkëmbimi i stafit akademik dhe/ose administrativ;
  • Shkëmbimi i studentëve të diplomuar dhe/ose studentëve për studim, vizitadhe/ose semestra praktikash;
  • Aktivitete të përbashkëta të kërkimit shkencor, aplikime për projekte dhe publikime;
  • Pjesëmarrje dhe organizim në seminare, konferenca, simpoziume dhe evente akademike;
  • Shkëmbim të materialeve akademike dhe botime të përbashkëta;
  • Programe shkëmbimi për stafin akademik;
  • Organizimi i shkollave verore/dimërore; etj,.

UAMD rrugëton e sigurtë në procesin e ndërkombëtarizimit duke rritur gjithnjë e më shumë standardin universitar dhe ofertën akademike.

sqAlbanian