Sisteme Informacioni

Përshkrimi i Programit:

Programi i studimit Sisteme Informacioni (SI) mbulon një fushë të re, me perspektivë dhe në zhvillim jo vetëm në Shqipëri, por dhe në botë. Studentët e SI përgatiten me dije për projektimin dhe zbatimin e zgjidhjeve efektive teknologjike për përmbushjen e nevojave të ndryshme për informacion dhe për mbështetje në vendimarrje në aspekte të ndryshme menaxheriale dhe organizative. Misioni i këtij programi studimi është përgatitja e të diplomuarve me njohuritë dhe aftësitë e nevojshme për praktika të suksesshme në fushën e Sistemeve të Informacionit.

Bashkohu me studentët tanë dhe bëhu pjesë e jetës akademike aktive, përvojave ndërkombëtare të shkëmbimeve studentore dhe kontakteve me tregun e punës gjatë viteve të studimit.
Zgjidh UAMD-në për të pasur qasje në të gjitha mundësitë dhe lehtësitë që ofrohen për studentët.

Qëllimi i programit

Trendi i edukimit sot po fokusohet me shpejtësi drejt programeve që mësojnë njohuritë teknike të kombinuara me njohuri mbi funksionimin e organizatave. Rëndësia e Teknologjisë dhe Sistemeve të Informacionit në organizata, si dhe nevoja aktuale për profesionistë të aftë dhe të mirëformuar në këtë fushë është pika lidhëse e kurrikulës së degës për t’i prezantuar studentët me njohuritë e plota dhe të nevojshme mbi Sistemet e Informacionit duke kontribuar në zhvillimin ekonomik dhe social nëpërmjet përdorimeve inteligjente të Sistemeve të Informacionit dhe duke zhvilluar karrierat e tyre  profesionale pas diplomimit duke qënë të pajisur me eksperiencën, me njohuritë e nevojshme mbi teknologjitë, metodat dhe sistemet më aktuale në këtë fushë.

Ku mund të punësoheni pas përfundimit të studimeve?

Kërkesa për specialistë në Sistemet e Informacionit, në tregun e punësimit po rritet në Shqipëri dhe në botë. Mbas përfundimit të studimeve në këtë degë, studenti do të jetë i aftë të kontribuojë në zhvillimin ekonomik dhe social nëpërmjet përdorimit inteligjent të sistemeve të informacionit. Një nga avantazhet më të medha që ka kjo fushë studimi janë mundësitë e shumta për punësim në specialitete të ndryshme, në varësi të prirjeve dhe preferencave të studentëve. Ata mund të zgjedhin të punojnë si analist biznesi dhe sistemi, specialistë të aplikacioneve të ndërmarrjes, konsulent TI dhe SI për organizatat, analist të dhënash, zhvillues sistemi, etj. Por jo vetëm kaq, ata mund të zgjedhin të punojnë në fushat e inteligjencës së biznesit, bazave të të dhënave, sistemeve të vendim-marrjes, dhe sistemeve të njohurive.