Fakte dhe shifra

Historia e Universitetit

  • Universiteti i Durrësit në formën e tij moderne është themeluar në vitin 2006, por gjurmët e tij shtrihen në vitin 1380, duke e bërë një nga institucionet më të vjetër në Europë. Universiteti i Studimeve të Durrësit (latinisht: Universitas Studiorum Dyrrhachium) është krijuar rreth vitit 1380, por për shkak të sulmeve osmane është tërhequr në Zarë për të themeluar Studium Generale, ose Universitetin e Zarës, me Rektor të Parë Gjon Durrsakun.
  • Burime që dalin nga arkivat dhe bibliotekat e Kuvendit Françeskan dhe Kuvendit Domenikan në Dubrovnik, njoftojnë për të parin universitet në Ballkan, Universitetin e Durrësit, i themeluar nga dominikanët durrsakë të Kuvendit të Shën Maurit që vepronin në Durrës prej vitit 1224.
  • Është i njohur fakti se profesori Gjon Durrsaku ishte caktuar si rektori i parë i Universitetit të Zarës (1396). Në Universitetin e Zarës thuhet, shprehimisht, se “Rektori i parë ishte Gjon Durrsaku, qëkur Universiteti i Durrësit u zhvendos në Zarë për shkak të kërcënimit turk në Europën Juglindore”.
  • Një tjetër personalitet i Universitetit të Durrësit, që po zbulohet rishtazi, ishte Ndre Durrsaku (mesi shek. XIV-13 qershor 1393). Ai njihet si doktor i shkencave teologjike (Universiteti i Bolonjës, 1380), ndërsa në vitin 1387 qe emëruar arqipeshkëv i Arqipeshkvisë së Raguzës.

Universiteti Modern

  • Në formën e tij moderne, Universiteti “Aleksandër Moisiu” Durrës, çeli dyert për herë të parë në vitin akademik 2006-2007 me rreth një mijë studentë nga i gjithë vendi. Me hapjen e Universitetit “Aleksandër Moisiu”, nuk ishte për qëllim hapja e një institucioni të ri në vend, por hapja e një institucioni ndryshe, i cili do të sillte eksperiencat më të mira akademike perëndimore.

Filozofia jonë

Filozofia e punës në UAMD  është “studenti në qendër të vëmendjes”, që do të thotë se gjithçka që ndodh në universitet që nga procesi mësimor, shërbimet, aktivitetet dhe mjetet janë në shërbim të studentit. Kjo bëhet e mundur, nëpërmjet një stafi dinamik të zgjedhur dhe të përkushtuar, një ambjenti të kompjuterizuar që mundëson kontakte të vazhdueshme me botën akademike perëndimore dhe nëpërmjet veprimtarive të larmishme ekstrakurrikulare.

Një institucion ndryshe

  • Mënyra e zhvillimit të procesit mësimor, procedurat e kontrollit të dijes, rekrutimi i stafit akademik, këshillimi i studentëve, shërbimi i bibliotekës universitare dhe kërkimi shkencor kanë si qëllim realizimin e një përvoje akademike unike në vend, që nuk përjashton asnjë element domethënës të universiteteve evropiane dhe atyre amerikane.

UAMD Sot

  • Sot, Universiteti “Aleksandër Moisiu” ka 5 fakultete: Fakulteti  i Biznesit, Fakulteti i Edukimit, Fakulteti i Teknologjisë së  Informacionit, Fakulteti i Shkencave Politike-Juridike dhe Fakulteti i Studimeve Profesionale. Në këta fakultete numërohet rreth 20 mijë studentë në të tre ciklet e studimit.

DESTIP

  • Një risi e Universitetit “Aleksandër Moisiu”, por edhe e të gjithë sistemit të arsimit të lartë në vend është Departamenti i Studimeve të Integruara me Praktikën (DESTIP). DESTIP është produkt i një projekti të përbashkët të qeverisë gjermane dhe asaj shqiptare, me qëllim ndërtimin e një departamenti bazuar në përvojën më të mirë në fushën e ekonomisë dhe të menaxhimit të akademisë profesionale në Banden-Wurtemberg në Gjermani. Karakteristika dalluese në DESTIP është kombinimi i vazhdueshëm i njohurive teorike me praktikën në kompani të ndryshme sipas fushës së studimit. Mësimdhënia në këtë departament zhvillohet nga profesorë ndërkombëtarë dhe ekspertë në fushave përkatëse.