Stafi:
Dr. Marsida Klemo është lektore me kohë të plotë prej 14 vitesh në Fakultetin e Studimeve Profesionale (FSP) të Universitetit “Aleksandër Moisiu” Durrës. Marsida është diplomuar në Fizikë 5-vjecare, ka kryer shkollën pasuniversitare në drejtimin biofizikë dhe mban aktualisht gradën “Doktor Shkencash”, të gjithë tituj të fituar në Fakultetin e Shkencave të Natyrës, Universiteti i Tiranës.Në 2009-2011 ka mbajtur pozicionin e zv/dekanes për anën mësimore dhe që nga viti 2014 dhe aktualisht ajo është Drejtuese e Departamentit të Shkencave të Aplikuara dhe të Natyrës në Fakultetin e Studimeve Profesionale. Gjatë eksperiencës së punës akademike Marsida ka kontribuar jo vetëm në drejtim të mësimdhënies dhe menaxhimit të Departamentit por edhe në kërkimin shkencor. Ajo ka publikuar mbi 15 artikuj në revista ndërkombëtare (ndër to dhe me faktor impakti), tekst për studentët dhe ka referuar në rreth 20 Konferenca Ndërkombëtare. Prej disa vitesh është angazhuar si eksperte në projekte të financuara nga Komuniteti Europian si eksperte/ kërkuese shkencore me fokus mjedisin dhe burimet e rinovueshme.
Prof. As. Dr. Majlinda Sana ka përfunduar studimet në Fakultetin e Shkencave të Natyrës, dega “Kimist Industrial” gjatë viteve 1989-1994 në Tiranë. Në vitin 2011, ajo përfundoi studimet e nivelit të dytë Master në “Elektrokimia e korrozionit dhe dukuritë sipërfaqësore” në Fakultetin e Shkencave të Natyrës. Në qershor të vitit 2013, mori gradën shkencore “Doktor” me temën: “Vlerësimi krahasues mbi përdorimin e agjentëve redox në miellrat e prodhuara nga disa kultivarë gruri të vendit dhe importit për prodhimin e brumërave për bukë e ëmbëlsira”. Gjatë viteve 2000-2008 ka punuar në industrinë farmaceutike “Prodentalfarma e Profarma” si kimiste e lëndëve të para dhe e produktit të gatshëm, si dhe shefe prodhimi e produkteve sterile. Nga viti 2008 deri në 2011 ka punuar si asistente në “Albanian University”, ndërsa gjatë periudhës 2011-2014 ka qenë pedagoge e jashtme pranë Universitetit “Kristal”. Prej vitit 2013 është pedagoge e brendshme në Universitetin “Aleksandër Moisiu” Durrës. Në maj të vitit 2021 mori titullin “Profesor i Asociuar” nga Fakulteti i Shkencave të Natyrës, Universiteti i Tiranës. Ajo është autore e shumë artikujve të botuar në revista shkencore brenda dhe jashtë vendit, si dhe ka marrë pjesë në një sërë prezantimesh në konferenca kombëtare dhe ndërkombëtare. Gjithashtu, është autore e tre monografive të botuara nga LAP, Lambert Academic Publishing, dhe është pjesë e bordeve editoriale në disa revista të huaja.
Dr. Milidin Bakalli është pedagog në Departamentin e Shkencave Natyrore dhe të Aplikuara, pranë Universitetit “Aleksandër Moisiu” Durrës që nga muaji shtator 2017. Nga tetori 2014 deri në shtator 2017 ka qenë lektor në Departamentin e Mjekësisë, Fakulteti i Studimeve Profesionale në të njëjtin universitet. Është diplomuar në Biokimi në Fakultetin e Shkencave Natyrore, Universiteti i Tiranës dhe ka përfunduar studimet Master në drejtimin Mikrobiologji-Bioteknologji po në këtë fakultet. Në vitin 2013 ka fituar titullin shkencor “Doktor” në Bioteknologjinë Bimore pranë Fakultetit të Shkencave Natyrore, Universiteti i Tiranës. Gjatë viteve 2003-2014 ka mbajtur pozicione të ndryshme në Laboratorin Qendror të Forcave të Armatosura në Ministrinë e Mbrojtjes, duke përfshirë detyrat si Shef i Seksionit të Mjeteve Mbrojtëse Kundër Kimike, Shef i Seksionit të Analizave Kimike të Lëndëve Plasëse dhe Baruteve, Shef i Seksionit të Analizave të Karburant Lubrifikantëve dhe Përgjegjës i Laboratorit të Intendencës dhe Bakterologjisë. Ai ka ndjekur kurse të ndryshme ndërkombëtare dhe kombëtare në fushën e testimeve dhe menaxhimit të laboratorëve testues dhe kalibrues mbi cilësinë dhe akreditimin, si dhe në mbrojtjen nga armët e dëmtimit në masë. Gjithashtu, ka prezantuar një sërë punimesh shkencore në konferenca dhe kongrese kombëtare e ndërkombëtare, si dhe ka botuar artikuj shkencorë në revista kombëtare dhe ndërkombëtare me faktorë impakti. Është bashkëautor i tekstit mësimor “Biokimia Mjekësore”. Interesat e tij kërkimore-shkencore përfshijnë aplikimin e analizave dhe testimeve laboratorike në Biokimi, Bioteknologji, Mikrobiologji, Kimi mjedisore, Mbrojtje Mjedisi dhe mësimdhënie.
Dr. Laura Gjyli fitoi doktoraturën e saj nga Universiteti i Tiranës në fushën e bioteknologjisë, duke kontribuar në identifikimin e pranisë së specieve cianobakteriale për herë të parë në ujërat detare shqiptare, bazuar në amplifikimin e PCR të sekuencave të ADN-së ribosomale 16-23S. Ajo është pjesë e stafit themelues të Universitetit “Aleksandër Moisiu” Durrës, universiteti më i ri publik në Shqipëri, ku jep kurse të biologjisë dhe mikrobiologjisë. Që nga viti 2007, Dr. Gjyli është e angazhuar në punë kërkimore mbi vlerësimin e cilësisë së ujit dhe është autore e më shumë se 20 artikujve kërkimorë të botuar në revista ndërkombëtare. Ndër artikujt e saj të fundit janë: “Plastikat detare në vijën bregdetare shqiptare: Informacion bazë për menaxhim të përmirësuar”, botuar në revistën Elsevier: Ocean and Coast Management, dhe “Vlerësimi i mbetjeve detare në disa plazhe përgjatë vijës bregdetare të Adriatikut Jugor (Shqipëri)”, botuar në Manualin e Kimisë së Mjedisit, Springer, Berlin. Dr. Gjyli kontribuon në edukimin e të rinjve shqiptarë përmes kërkimeve shkencore dhe ndihmës komunitare dhe është koordinatore dhe themeluese e konferencës studentore “Mjedisi dhe Shëndeti i Njeriut”. Ajo krijoi Biolovealbaniangroup në vitin 2018 me vullnetarë të shkollave të mesme, studentë, mësues dhe profesorë nga Durrësi, duke e bërë pjesë të projektit Interreg Med ACT4LITTER Marine Litter Watch Month, një nismë për pastrimin dhe studimin e mikroplastikave në bregdetin shqiptar. Në vitin 2019, Biolovealbaniangroup fitoi çmimin e argjendtë në ceremoninë e çmimeve “Olimpiadë mbi njohuri më të mira kundër katastrofave”, një konkurs ndërkombëtar i organizuar nga projekti BeSafeNet, zbatuar nga Mbrojtja Civile e Qipros dhe sponsorizuar nga Marrëveshja e Rreziqeve të Mëdha Evropiane dhe Mesdhetare (EUR-OPA), Këshilli i Evropës, Strasburg. Dr. Gjyli mori vlerësim 78% për projektin e saj “Efektet e Alkaloideve Amaryllidaceae në Stresin Nukleolar dhe Stabilizimin P53 në Qelizat e Kancerit: Një Sfidë për një Terapi të Re të Kancerit (DAFFODILS)” në një program evropian postdoktoral, të bashkëfinancuar nga Université libre de Bruxelles dhe Komisioni Evropian në kuadër të veprimeve Marie Skłodowska-Curie (H2020). Nga qershori i vitit 2020, ajo është anëtare e organizatës River-Cleanup.org në Bruksel, duke koordinuar aktivitete për pastrimin e lumenjve dhe zhvillimin e partneriteteve në Shqipëri, me projektin e parë “Pastrimi i lumit Ishëm, 2020”. Në vitin 2021 fitoi projektin COST OC-2020-1-24821, “Zbatime për parazitët zoosporikë në sistemet ujore”, si dhe aplikoi së bashku me BOKU (Universiteti i Burimeve Natyrore dhe Shkencave të Jetës) për projektin “Matje të transportit makroplastik në lumin Ishëm, lumi më i ndotur në Evropë (2021-2023)”, i cili është në pritje të miratimit.
This will close in 0 seconds