Komunikim dhe Digjital Marketing

Përshkrimi i Programit:

Programit i studimit Komunikim dhe Digital Marketing  ka për mision  t’i pajisë studentët me njohuritë themelore në komunikim dhe digital marketing duke i aftësuar për të qënë në shërbim të biznesit të vogël e të mesëm privat edhe publik, si dhe për të punuar në organizata jofitimprurëse. Ky program shërben si niveli bazë për vazhdimin e studimeve të mëtejshme në fushën e Komunikimit dhe Digjital Marketingut.

Studentëve të këtij programi studimi, Universiteti “Aleksandër Moisiu” do t’u sigurojë: formim shkencor dhe teorik si dhe formim praktik mbi njohjen e kualifikimeve profesionale për të kryer analiza dhe kërkime shkencore në fushën e Komunikimit dhe Marketingut specifikisht në atë digital dhe metodologjinë e nevojshme për ushtrimin e të mësuarit gjatë gjithë jetës profesionale, vendimmarrëse dhe operacionale. Ky program synon që pas 3 vitesh  studimi, studenti të jetë i aftë profesionalisht për të punuar në organizata të ndryshme publike dhe jopublike, në dhënien e kontributit të tyre në zhvillimin e strategjive në komunikim dhe në zhvillimin e marketingut digital si një kërkesë aktuale për operatorët e ndryshëm ekonomikë.

Bashkohu me studentët tanë dhe bëhu pjesë e jetës akademike aktive, përvojave ndërkombëtare të shkëmbimeve studentore dhe kontakteve me tregun e punës gjatë viteve të studimit.
Zgjidh UAMD-në për të pasur qasje në të gjitha mundësitë dhe lehtësitë që ofrohen për studentët.

 

Pse duhet të studioni në këtë program?

Pas  përfundimit  të këtij programi, studentët do të pajisen me njohuritë themelore teorike që rrjedhin nga shkencat bazë, me qëllim aplikimin e tyre të mëvonshëm në nivel profesional, dhe do të zotërojnë aftësi për të zbuluar dhe vlerësuar në mënyrë kritike.

Të diplomuarit në këtë program duhet të njohin bazat e marketingut, bazat e komunikimit dhe bazat e komputerit si dhe displina të tjera bazë ekonomike.

Kjo përgatitje do të sigurohet nga një numër i balancuar i leksioneve, mbështetur nga një përqasje e përshtatshme metodologjike statistiko – matematikore.

Studenti i diplomuar në programin Komunikim dhe Digital Marketing duhet gjithashtu të jetë në gjendje të aplikojë njohuritë e teorisë ekonomike në fusha të ndryshme të tilla si politika ekonomike, ekonomi industriale dhe mjedisore, etj. Për këtë qëllim, përveç leksioneve teorike, janë parashikuar edhe ndërhyrje nga personeli i ndërmarrjeve dhe institucioneve si ato publike dhe private. Studimi i monografive si pjesë e provës përfundimtare, kompleton njohuritë dhe aftësitë e të diplomuarit në të kuptuarit e temave më të fundit të publikuara, të lidhura me cështje të ndryshme ekonomike.

Përvetësimi i njohurive dhe i të kuptuarit kontrollohet gjatë kryerjes së testeve të ndryshme të vlerësimit.

Ku mund të punësoheni pas përfundimit të studimeve?

Studentët që do përfundojnë studimet në programin e ciklit të parë Bachelor në Komunikim dhe Digital Marketing do të pajisen me diplomën përkatëse. Këta studentë do të kenë mundësi të punësohen në të gjitha bizneset private dhe entet publike, në departamentet e marketingut, departamentet e komunikimit dhe departamentet e shitjeve. Këta studentë të diplomuar do të jenë në gjendje të punojnë dhe të ofrojnë njohuritë e tyre në këto fusha. E shkuara ka qenë e mediave të shkruara dhe televizive, kurse e tashmja dhe e ardhmja i takojnë digitalizimit. Shumë nga bizneset dhe entet publike janë drejtuar dhe të tjerat po vazhdojnë të drejtohen drejt digitalizimit. Kjo nënkupton mundësi të mëdha për punësimin e strudentëve të diplomuar në Komunikim dhe Digjital Marketing.