Konferenca e parë shkencore ndërkombëtare e gjuhësisë: “Ligjërimi i shkruar dhe i folur, probleme reale dhe propozime konkrete per zgjidhjen e tyre”. 

Më datë 05.05. 2023, Departamenti i Gjuhës shqipe, pranë Fakultetit të Edukimit në Universitetin “Aleksandër Moisiu”, Durrës, pati nderin dhe kënaqësinë të organizonte Konferencën e parë shkencore ndërkombëtare të gjuhësisë me temë: “Ligjërimi i shkruar dhe i folur, probleme reale dhe propozime konkrete per zgjidhjen e tyre”. 

Kjo konferencë u organizua dhe u ideua nga Përgjegjësja e departamentit të gjuhës shqipe Prof. as. dr. Edlira Troplini (Abdurahmani) dhe i gjithë stafi i gjuhësisë; u zhvillua nën kujdesin dhe përkushtimin e Dekanes së Fakultetit të  Edukimit, Prof. as. dr. Klodiana Leka; me mbështetjen e fortë të Rektores së Universitetit “A. Moisiu”, Durrës, Prof. Kseanela Sotirofski, Zv. Rektorit për kërkimin shkencor, Prof. Sokol Pacukaj, si dhe me ndihmën e pakursyer të Kancelarit të këtij institucioni Z. Gerald Çeka. 

Konferenca mblodhi rreth vetes akademikë, profesorë, kërkues shkencorë dhe studiues të fushës së gjuhësisë (duke mos përjashtuar edhe ato të fushave të tjera), nga të gjitha universitetet shqiptare dhe trojet, të cilët përmes ideve, mendimeve dhe prurjeve të tyre shkencore, të paraqitura përmes kumtesave dhe përmbledhjes së materialeve të punimeve, kanë dhënë kontributin e tyre në zgjidhjen e disa problemeve reale që lidhen me ligjërimin, si në aspektin e njohjes së njohurive gjuhësore, ashtu edhe në aspektin e zotërimit të aftësive praktike dhe përmirësimit të  kapacitetit ligjërimor në përdorim.

Në këtë  konferencë u vunë në dukje disa probleme reale të gjuhës së shkruar dhe asaj të folur shqipe, si dhe probleme që lidhen me përdorime gjuhësore në të gjitha fushat e veprimtarisë tonë të përditshme; probleme që lidhen me stilet e përdorimit, me regjistrat gjuhësorë në të folur e në të shkruar…etj.

Variacioni i larmishëm gjuhësor tregon vlerën e padiskutueshme të gjuhës njerëzore, si dhe fuqinë e saj të pashmangshme në çdo kohë. Për rrjedhojë, misioni i konferencës dhe filozofia e ideimit të saj, lidhet fort me punën dhe ndërgjegjësimin e individit folës për një përdorim sa më të suksesshëm të aftësisë sonë gjuhësore me qëllim përmirësimin e vazhdueshëm të kompetencës ligjërimore si pjesë e qenësishme e sjelljes sonë njerëzore.

Duke ju falënderuar për kontributet,   

Bashkëlidhur do të gjeni materialet e punimeve (proceedings) të botuara me ISBN në  formë elektronike

sqAlbanian