10 DHJETORI – LEKSION I HAPUR “DITA NDËRKOMBËTARE PËR TË DREJTAT E NJERIUT”.

10 Dhjetori është Dita Ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut, në këtë ditë studentët e masterit të Marrëdhënieve Ndërkombëtare dhe Diplomaci pranë Fakultetit të Shkencave Politike Juridike UAMD, zhvilluan një leksion të hapur duke diskutuar mbi Deklaratën Universale për të Drejtat e Njeriut me lektoren Dr. Mirela Metushaj.
 
Kombet e Bashkuara fill pas luftës së dytë botërore ndërkohë që Evropa dhe e gjithë bota akoma tymoseshin nga rrënojat materiale dhe njerëzore të luftës, shpallën Deklaratën  Universale të të Drejtave të Njeriut, kjo deklarate u shpall në Paris në vitin 1948.
 
Kaq shumë shkatërrime dhe kaq shumë tmerr i kishin shtyrë 58 vendet e para anëtare të OKB-së që të skalitnin parimet civile dhe humanitare në Deklaratën Universale, të përmbledhur në tridhjetë artikuj në të cilat përcaktohen të drejtat e çdo qytetari të botës.
Një angazhim për vendet pjesëmarrëse jo vetëm për të respektuar këto të drejta, por edhe për të përhapur vlerat e Demokracisë, Lirisë, Diversitetit dhe Tolerancës në mbarë botën. Janë tridhjetë artikuj që nuk kanë humbur asgjë nga rëndësia e tyre dhe do të mjaftonte të citoheshin disa prej tyre për të kuptuar gjithë shqetësimin fillestar për të ardhmen e njeriut dhe dinjitetin e tij.
 
 Fatkeqësisht, më shumë se shtatëdhjetë vjet më vonë, respektimi i të drejtave të njeriut është larg arritjes së objektivave të Deklaratës Universale. Ka shumë pabarazi, shumë të drejta të mohuara për shëndetin, arsimin dhe aksesin në punë të denjë.
Aktualisht ka shumë konflikte, shumë situata në të cilat paqja është në rrezik të vazhdueshëm.
 
Megjithatë, kjo ditë na kujton se sa e rëndësishme është të mos ndalemi së mbrojturi këto të drejta dhe na fton të shohim më përpara, përtej frikës dhe indiferencës, për t’i dhënë kuptim dinjitetit të secilit.