UAMD fiton projekt në kuadër të Programit Kombëtar për Kërkim dhe Zhvillim (PKKZH) 2026

UAMD fiton projekt në kuadër të Programit Kombëtar për Kërkim dhe Zhvillim
(PKKZH) 2026

 

Universiteti “Aleksandër Moisiu” Durrës është përfitues i projektit “Përdorimi etik i inteligjencës
artificiale dhe sigurimi i integritetit akademik në arsimin e lartë: zhvillimi i kompetencave
studentore”, projekt fitues në kuadër të Programit Kombëtar për Kërkim dhe Zhvillim (PKKZH)
për vitin 2026.
Projekti drejtohet nga Prof. Asoc. Dr. Eda Tabaku, pedagoge pranë Fakultetit të Teknologjisë së
Informacionit, UAMD, dhe ka një kohëzgjatje të përgjithshme prej 30 muajsh, korrik 2026 –
dhjetor 2028.
Projekti fokusohet në një nga çështjet më aktuale të arsimit të lartë: përdorimin e inteligjencës
artificiale nga studentët dhe ndikimin e saj në integritetin akademik dhe procesin e të nxënit.
Synimi është të promovohet një përdorim etik, transparent dhe i përgjegjshëm i inteligjencës
artificiale në mjedisin akademik.
Në kuadër të projektit do të realizohet një studim kombëtar me studentë nga universitetet
shqiptare, rezultatet e të cilit do të shërbejnë për zhvillimin e një modeli të strukturuar për
përdorimin etik dhe të përgjegjshëm të inteligjencës artificiale, të shoqëruar me një udhëzues
praktik dhe një platformë web edukative. Modeli do të pilotohet dhe vlerësohet me studentë,
ndërsa rezultatet e projektit do të diseminohen përmes workshop-eve ndëruniversitare,
publikimeve shkencore, prezantimeve në konferenca ndërkombëtare dhe një konference
shkencore përmbyllëse.
Përmes këtij projekti synohet të kontribuohet në forcimin e integritetit akademik dhe zhvillimin e
kompetencave të studentëve për përdorimin e përgjegjshëm të inteligjencës artificiale, duke
krijuar një model që mund të përdoret edhe nga institucione të tjera të arsimit të lartë në Shqipëri.

Mundësuar me mbështetjen financiare të AKKSHI_Ministria e Arsimit.

Leave a Reply