Një mandat i dytë për UAMD-në dhe Shqipërinë në SEESA

Në 16 maj 2022 u mbyll procesi zgjedhor për Bordin Ekzekutiv të South East European Studies Association (SEESA) në SHBA, prej të cilit, pedagogia e Letërsisë bashkëkohore shqipe dhe të Huaj të shekullit XX në Fakultetin e Edukimit, Prof. Asoc. Dr. Bavjola Shatro u rikonfirmua me mandat të dytë 4-vjeçar si Presidente e SEESA. Kjo e bën atë një nga presidentët me mandat të dytë në historinë 50-vjeçare të këtij asociacioni akademik prestigjioz, ndërsa është pjesë e këtij historiku krahas emrave të nderuar të presidentëve në vite: Kenneth E. Naylor  (The Ohio State University), Cyril E. Black (Princeton University), Joseph L. Conrad, (University of Kansas), Charles Jelavich  (Indiana University), Irwin T. Sanders  (Boston University), John Treadway, (University of Richmond), Victor Friedman (University of North Carolina), Christina Kramer (University of Toronto), John Leafgren (University of Arizona), Elisabeth Elliott, (Northwestern University), Olga Mladenova (University of Calgary), Catherine Rudin (Wayne State College) etj.

Në këtë mandat, Prof. Asoc. Dr. Shatro do të vijojë drejtimin e projekteve të nisura në kuadrin e veprimtarisë së SEESA-s, si organizëm që i kushtohet kërkimit shkencor në fushën e studimeve të Europës Juglindore.

Mbyllja e mandatit të parë në këtë pozicion u kurorëzua me “The 22nd Biennial Conference on Balkan and South Slavic Linguistics, Literature, and Folklore”, zhvilluar në prill të këtij viti në The Ohio State University, në Columbus, SHBA. Në këtë ngjarje akademike me traditë pothuaj 40-vjeçare, SEESA ofroi dy çmime për referatet më të mirë të mbajtur nga doktorantët pjesëmarrës. I një rëndësie të veçantë është fakti se referatët fitues të këtij viti kishin fushë primare studimore gjuhën shqipe dhe problematikat e saj në rrafsh sinkronik e diakronik. Autorët e këtyre referateve, Rexhina Ndoci, (fituese e vendit I) dhe Clayton Marr (fitues i vendit II) janë doktorantë në fushën e gjuhësisë në The Ohio State University (SHBA) dhe u shpërblyen respektivisht me 700$ dhe 600$, si fitues të SEESA Prize 2022.

Ndërsa studiues shqiptarë kanë fituar ndër vite grantet e SEESA-s, në nisje të mandatit të dytë si Presidente e këtij organizimi akademik dhe  si Kryetare e Këshillit të Granteve Akademike, Prof. Shatro fton studentët e UAMD-së të nivelit Master në fushat e gjuhësisë, letërsisë, folklorit, historisë etj., të njihen me njoftimet e këtij asociacioni në uebsitin e tij www.seesa.org dhe të aplikojnë për SEESA Travel Grants. Këto grante akademike me vlerë minimale 500$ secili janë financime që SEESA i jep çdo vit për të mbuluar shpenzimet e udhëtimit dhe të akomodimit për studentët e niveleve Master dhe Doktoratë në fushat e studimeve të Europës Juglindore, të cilët referojnë në konferenca të organizuara në vende të ndryshme të botës.

Studentët e UAMD janë të mirëpritur të aplikojnë, duke prezantuar punën e tyre dhe UAMD-në.

Leave a Reply

This will close in 0 seconds

sqAlbanian