“Mbill Pemën Tënde!” – 250 Pemë për një Kampus më të Gjelbër dhe një Mesazh për të Ardhmen

Pas mbjelljeve të suksesshme në Eco-Parkun Durrës, nisma “Mbill pemën tënde!” vijoi me entuziazëm në Kampusin Universitar të Universitetit “Aleksandër Moisiu” Durrës. Aktiviteti mblodhi së bashku nxënës, mësues, studentë, staf akademik dhe administrativ, vullnetarë dhe organizata lokale, të cilët, duke bashkëpunuar, mbollën mbi 250 pemë të ndryshme, duke e transformuar kampusin në një hapësirë më të gjelbër dhe të qëndrueshme.

Një aspekt i veçantë i kësaj nisme ishte personalizimi i çdo peme me emrin e mbjellësit, duke e kthyer këtë aktivitet në një kujtim të veçantë për të gjithë pjesëmarrësit. Krahas mbjelljes, u organizuan aktivitete ndërgjegjësuese mbi rëndësinë e riciklimit dhe mbrojtjen nga ndotja plastike, duke përforcuar mesazhin për një mjedis të pastër dhe të mbrojtur.

Në përfundim të aktivitetit, u ndanë certifikata për vullnetarizmin dhe u promovua arti i riciklimit si një mënyrë për të ripërdorur materialet dhe për të reduktuar ndotjen. Këto momente jo vetëm që shërbyen për të edukuar pjesëmarrësit, por gjithashtu i frymëzuan ata të ndërmarrin hapa të vegjël por të rëndësishëm në përditshmërinë e tyre për mjedisin.

Rektori i UAMD, Prof. Dr. Shkëlqim Fortuzi, falenderoi pjesëmarrësit dhe theksoi rëndësinë e këtij bashkëpunimi, duke premtuar vazhdimësinë e projekteve të ngjashme mes universitetit dhe shkollave të Durrësit. Kjo nismë simbolizon përkushtimin e UAMD-së për të promovuar përgjegjësinë mjedisore dhe për të ndërtuar ura bashkëpunimi me komunitetin lokal.

Faleminderit të gjithëve që kontribuan për këtë nismë dhe treguan dashurinë e tyre të pakushtëzuar për natyrën! Ky aktivitet është vetëm fillimi i një fushate më të gjerë që synon të ndërgjegjësojë dhe të përmirësojë raportin tonë me mjedisin.

Së bashku, mund të vazhdojmë të ndërmarrim hapa të qëndrueshëm për një kampus më të gjelbër, një qytet më të pastër dhe një të ardhme më të mirë! 🌿

This will close in 0 seconds

sqAlbanian