Në ambientet e VTECH & INNOVATION HUB u organizua aktiviteti për lançimin e projektit “Produkti Turistik i Integruar në Funksion të Turizmit të Përgjegjshëm Gjithëvjetor përgjatë Bregdetit të Adriatikut” (RESTOURISM). Ky projekt, i mbështetur nga Agjencia Kombëtare e Kërkimit Shkencor dhe Inovacionit (AKKSHI), përfaqëson një iniciativë të rëndësishme bashkëpunimi ndërmjet kërkuesve të disa universiteteve dhe sektorit të biznesit, me Universitetin “Aleksandër Moisiu” në rolin udhëheqës.
Në këtë aktivitet, studiuesit dhe kërkuesit shkencorë prezantuan qëllimet dhe objektivat e projektit, duke ofruar një përqasje metodologjike dhe praktike për zhvillimin e tij. Aktiviteti u karakterizua nga një atmosferë bashkëpunuese, ku pjesëmarrësit patën mundësinë të bëjnë pyetje, të zhvillojnë diskutime të hapura dhe të ndajnë ide, duke ndërtuar ura të reja bashkëpunimi për të ardhmen e sektorit të turizmit në Shqipëri.
Projekti RESTOURISM synon të japë një kontribut të rëndësishëm si në literaturën shkencore, ashtu edhe në industrinë e turizmit. Modelimi i produktit turistik të integruar do të ofrohet si një mjet praktik për operatorët turistikë, duke synuar të ndihmojë jo vetëm në transferimin e njohurive nga universitetet tek bizneset, por edhe në nxitjen e një turizmi të përgjegjshëm dhe të qëndrueshëm gjatë gjithë vitit.
Nëpërmjet këtij projekti, sektori i turizmit pritet të përfitojë jo vetëm nga zhvillimi i produkteve inovative, por edhe nga promovimi i praktikave të qëndrueshme dhe përgjegjshme, të cilat do të kontribuojnë në ruajtjen e mjedisit dhe në zhvillimin afatgjatë të bregdetit të Adriatikut. Ky projekt përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt krijimit të një modeli të suksesshëm bashkëpunimi ndërmjet sektorit akademik dhe atij privat, me synim përmirësimin e cilësisë së shërbimeve turistike dhe përgjegjshmërisë së këtij sektori në Shqipëri.
Kjo nismë është një mundësi e shkëlqyer për të gjitha palët e interesuara në sektorin e turizmit, duke ofruar zgjidhje të reja dhe inovative për zhvillimin e qëndrueshëm të destinacioneve turistike përgjatë bregdetit të Adriatikut, si dhe për të promovuar një turizëm që respekton dhe ruan burimet natyrore dhe kulturore të rajonit.