FSHPJ organizoi konferencen e 7-te shkencore

U zhvillua sot me sukses Konferenca e Shtatë Shkencore Ndërkombëtare e Fakultetit të Shkencave Politike Juridike ” Shteti,  Shoqëria dhe e Drejta: sfidat socio-ekonomike e politike dhe kushtet për paqe dhe siguri”.
 
Konferenca, në bashkëpunim me 14 institucione partnere të huaja dhe vendase, ofroi një mjedis të përbashkët të prezantimit të gjetjeve të kërkimit shkencor të mbi 90 punimeve shkencore të cilat reflektuan dinamikat kryesore të zhvillimeve të sotme në fushën e politikës, ligjit, administrimit publik, komunikimit e historisë.
 
Rektorja e Universitetit Aleksandër Moisiu,  Prof. Dr. Kseanela Sotirofski përshëndeti aktivitetin e organizuar si dhe theksoi mbështetjen e vazhdueshme dhe në rritje të UAMD në kërkimin shkencor jo vetëm në aktivitete të këtij lloji, por edhe në financimin e botimeve shkencore të stafit akademik dhe projekteve kërkimore shkencore.
 
Dekani i Fakultetit të Shkencave Politike Juridike Prof. Asoc. Dr. Andon Kume theksoi rëndësinë e aktiviteteve të tilla të karakterit shkencor në një kohë të zhvillimeve të rëndësishme në planin ndërkombëtar, si dhe konfirmoi traditën tashmë të konsoliduar të FSHPJ në organizimin e konferencës shkencore vjetore.