Ekspert në Proceset e Formimit

Përshkrimi i Programit:

Programi “Ekspert në Proceset e Formimit” është një program studimi universitar i nivelit bachelor. Ky program studimi është tre vjeçar dhe ofrohet në Fakultetin e Edukimit, në Universitetin “Aleksandër Moisiu”, Durrës që nga viti akademik 2007-2008. Çelja e këtij program studimi u mbështet së pari në përvojën e disa universiteteve perëndimore që ofrojnë programe të ngjashme studimi në nivelin bachelor dhe Master, dhe së dyti në një nevojë që e dikton zhvillimi shoqëror, zhvillim ky që shtron kërkesa të reja për arsimin, një nga të cilat është edhe karakteri shumëdimensional i formimit të individëve dhe për rrjedhojë edhe i programeve të studimit.

Pajisje me njohuri teorike mbi proceset e formimit, duke integruar njohuritë e shkencave të edukimit me ato shoqërore.

Pse duhet të studioni në këtë program?

Qëllimi i programit të studimit “Ekspert në Proceset e Formimit” është të kualifikojë individë me një formimin të kombinuar të shkencave edukuese dhe atyre shoqërore, duke iu përgjigjur kushteve të ekonomisë së tregut. Programi bachelor i studimit për “Ekspert në Proçeset e Formimit”, ka si objektiva:

  • Të pajisë studentin me njohuri teorike mbi proceset e formimit, duke integruar njohuritë e shkencave edukuese me ato shoqërore.
  • Të pajisë studentin me kompetencat e duhura operative-praktike për analizën e realiteteve sociale, kulturore e territoriale, aftësi për të përpunuar, realizuar, menaxhuar, vlerësuar projekte edukuese, me qëllim që t’i përgjigjet kërkesave të shprehura nga realiteti shoqëror.
  • Të pajisë studentin me aftësi tekniko-metodologjike, për të seleksionuar, përpunuar informacion e për ta përdorur në projektin edukues.

 

Ku mund të punësoheni pas përfundimit të studimeve?

Ekspertët në proceset e formimit kanë hapësira punësimi në linjat e mëposhtme:

Menaxhim, Inspektim dhe supervizim i institucioneve arsimore, Menaxhim dhe koordinim projektesh me fokus proceset e formimit, Kërkim në fushën e edukimit, Mbështetje në institucione të specializuara, Mbështetje në formimin dhe i zhvillimin e burimeve njerëzore , Mentorim dhe këshillim profesional, Ndërmjetësim edukues dhe kulturor.