Mikrokrediti u fokusua në zhvillimin e kompetencave personale dhe profesionale që lidhen me inteligjencën emocionale, duke ofruar njohuri dhe praktika mbi vetëdijen emocionale, ndërgjegjësimin personal, menaxhimin e emocioneve, vetë-rregullimin dhe ndërtimin e strategjive për një performancë të qëndrueshme në mjediset akademike dhe profesionale.
Përgjatë dy ditëve të aktivitetit, pjesëmarrësit u angazhuan në sesione teorike, diskutime reflektuese, ushtrime praktike dhe aktivitete ndërvepruese, të cilat krijuan mundësi për shkëmbim përvojash dhe zhvillim të aftësive të nevojshme për përballimin e sfidave të procesit të të nxënit dhe jetës profesionale.
Aktiviteti u udhëhoq nga Prof. Asoc. Dr. Dilina Beshiri dhe PhD Cand. Megi Tirana, të cilat ndanë me pjesëmarrësit njohuritë dhe përvojën e tyre në fushën e edukimit dhe zhvillimit personal. Një vlerë e shtuar e këtij mikrokrediti ishte kontributi i Prof. Maria Augusta Romão Da Veiga nga Bragança Polytechnic University, Portugali, e cila mori pjesë në kuadër të Aleancës Universitare Evropiane STARS EU, duke sjellë një perspektivë ndërkombëtare mbi rëndësinë e inteligjencës emocionale në edukim.
Ky aktivitet është pjesë e projektit “Hartimi dhe implementimi i mikrokrediteve si forma inovative të mësimdhënies në UAMD”, i financuar nga Universiteti “Aleksandër Moisiu” Durrës dhe i koordinuar nga Prof. Asoc. Dr. Dilina Beshiri, me synim ofrimin e mundësive të reja për zhvillim profesional dhe mësim gjatë gjithë jetës.
Falenderojme të gjithë pjesëmarrësit për angazhimin, interesin dhe kontributin e tyre, duke vlerësuar rëndësinë e këtyre aktiviteteve në forcimin e kompetencave personale, profesionale dhe akademike.