Fakulteti i Edukimit në Universitetin “Aleksandër Moisiu” Durrës mirëpriti një grup prej 21 studentësh dhe 4 anëtarësh të stafit akademik nga Constantine the Philosopher University in Nitra, në kuadër të marrëveshjes ndërinstitucionale të bashkëpunimit mes dy universiteteve dhe programit Erasmus+.

Studentët, të cilët ndjekin programet Bachelor në fushat e Psikologjisë dhe Punës Sociale, po zhvillojnë një periudhë traineeship-i në UAMD, duke pasur mundësinë të njihen nga afër me mjedisin akademik, praktikat profesionale dhe aktivitetet e universitetit.
Gjatë vizitës, grupi u prit nga pedagogët e Departamenteve të Psikologjisë dhe Sociologjisë, të cilët prezantuan Universitetin “Aleksandër Moisiu” Durrës, strukturat e tij akademike, programet e studimit, si dhe shërbimet psiko-sociale që ofrohen në komunitet. Të pranishmit ndoqën gjithashtu një video promovuese të universitetit dhe morën informacion mbi mundësitë e angazhimit akademik dhe profesional në Shqipëri.

Takimi u karakterizua nga diskutime të hapura dhe konstruktive mbi mobilitetin akademik, mundësitë e shkëmbimit të studentëve, përvojat ndërkombëtare në arsimin e lartë dhe iniciativat me fokus komunitetin. Studentët sllovakë shprehën interes të veçantë për përvojën e studentëve shqiptarë dhe për mundësitë që ofron UAMD në kuadër të bashkëpunimeve ndërkombëtare.
Një moment i veçantë i vizitës ishte shëtitja në kampusin universitar, ku studentët e UAMD-së, Aleksia, Egli, Migena, Sindi, Antarantela dhe Enkelejda, nga programet e Psikologjisë dhe Sociologjisë, shoqëruan bashkëmoshatarët e tyre nga Sllovakia, duke shkëmbyer përvoja, ide dhe njohuri mbi jetën studentore dhe kulturën e të dy vendeve.

Paralelisht me aktivitetet e studentëve, stafi akademik i universitetit partner zhvilloi një takim pune në Departamentin e Sociologjisë, ku u diskutuan mundësitë për zgjerimin e bashkëpunimit akademik dhe shkencor, me fokus të veçantë programin e studimit “Punë Sociale”, mobilitetin e stafit dhe zhvillimin e aktiviteteve të përbashkëta kërkimore.
Kjo vizitë përfaqëson një tjetër hap të rëndësishëm në forcimin e partneritetit ndërkombëtar të UAMD-së, duke kontribuar në shkëmbimin e njohurive, ndërveprimin kulturor dhe krijimin e mundësive të reja për studentët dhe stafin akademik të të dy institucioneve.


