Sektori i Karrierës, Alumnit dhe Komunikimit, në bashkëpunim me Komitetin Shqiptar të Helsinkit (KShH), organizoi një sesion ndërgjegjësues me studentët e Universitetit “Aleksandër Moisiu” Durrës, me fokus rritjen e ndërgjegjësimit qytetar, forcimin e integritetit dhe nxitjen e pjesëmarrjes aktive të të rinjve në luftën kundër korrupsionit.

Ky aktivitet synoi të forcojë rolin e të rinjve si faktor ndryshimi në shoqëri, duke i informuar mbi sfidat dhe arritjet në përballjen me dukuritë korruptive, si dhe rëndësinë që ka sinjalizimi dhe denoncimi i tyre.
Gjatë sesionit, studentët u njohën me funksionimin dhe rolin e Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), si një nga institucionet më të rëndësishme të reformës në drejtësi në vendin tonë.

I ftuar special në këtë aktivitet ishte z. Altin Dumani, i cili ndau me të rinjtë eksperiencën e institucionit që nga themelimi e deri në ditët e sotme. Ai theksoi se lufta kundër korrupsionit nuk është vetëm përgjegjësi e SPAK, por një detyrë e përbashkët e të gjitha institucioneve dhe e vetë shoqërisë.
Z. Dumani u ndal në sfidat e viteve të para të institucionit, duke nënvizuar se pavarësisht vështirësive fillestare, SPAK ka arritur të ndërtojë një standard të ri në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Ai vlerësoi rezultatet e deritanishme, duke përmendur se janë ngritur akuza ndaj figurave me peshë të lartë politike, përfshirë kryebashkiakë, deputetë dhe ministra.
Sipas tij, fakti që për rreth 50% të të akuzuarve gjykatat kanë dhënë vendime, tregon se puna e SPAK është mbështetur edhe nga sistemi gjyqësor.
Në përmbyllje të takimit, z. Dumani bëri të ditur se javën e ardhshme do t’i dorëzojë detyrën pasardhësit të tij, z. Klodian Braho, i cili do të jetë drejtues i ri i SPAK për tre vitet e ardhshme.
Ky sesion shënoi një tjetër hap konkret në përpjekjet për të fuqizuar të rinjtë si zë aktiv kundër pandëshkueshmërisë dhe për të promovuar një kulturë integriteti në shoqëri.





