Ditën e sotme, Rektori i UAMD, Prof. Dr. Shkëlqim Fortuzi, priti Kryetarin e Bashkisë së Barit, z. Vito Leccese bashkë me Nën-Kryetarin e Komunës së Chieuti, komunë arbëreshe, provinca e Foggia, Dr. Michele Di Luca, Profesor Giuseppe Morgese, delegat për zhvillimin ndërkombëtar dhe bashkëpunimin me vendet dhe institucionet e BE-së i Rektorit të Universitetit Aldo Moro, Bari, Prof. Roberto Bellotti, z. Giuseppe Laterza, drejtues i shtëpisë botuese italiane “Edizioni Giuseppe Laterza,” z. Tommaso Garofalo, Këshilltar i Kryetarit të Bashkisë së Pianna degli Albanesi, Barit dhe 6 komunave arbëreshe, Prof. Arben Dushi, Guvernator i Rotary International, Distrikti Shqipëri-Kosovë, 2485 dhe z. Jonadri Prodani, përfaqësues i Rotary E-Club Durrës, 24.
Gjatë këtij takimi të rëndësishëm u diskutua mbi vlerën dhe potencialin e jashtëzakonshëm që ofron për komunitetet dhe vendet tona bashkëpunimi midis Durrësit dhe Barit e të gjithë rajonit të Pulias përmes edukimit, ekonomisë, trashëgimisë historike e kulturore dhe kapaciteteve njerëzore.
Rektori Fortuzi theksoi se UAMD synon të bëhet edhe më tej një faktor zhvillimi rajonal e do luajë një rol të rëndësishëm në forcimin e gjithëanshëm të bashkëpunimit midis Durrësit dhe Barit.
UAMD bashkëpunon ngushtësisht me universitetet italiane më në zë, si Sapienza, Tor Vergata, Università Politecnica delle Marche, Salento, Bologna, etj, me diploma të përbashkëta, me studentë italianë e të UAMD që zhvillojnë semestra mësimor e mobilitete midis dy vendeve. Stafi ynë akademik është tejet i angazhuar në shkëmbime e projekte me universitetet italiane.
Lidhja e UAMD me Italinë do forcohet gjithnjë e më shumë. Një rëndësi e veçantë do i kushtohet edhe të rinjve arbëreshë për të studiuar në UAMD, falë vullnetit të komunave arbëreshe në Itali dhe mbështetjes së Rotary E-Club Durrës, 24, për mbulimin e shpenzimeve të qëndrimit e jetesës për disa prej tyre.
Kryebashkiaku Leccese dhe pjesëtarët e tjerë të delegacionit shprehën vlerësimet maksimale për rritjen e cilësisë akademike të UAMD-së dhe për forcimin e paprecedentë në aspektin e ndërkombëtarizimit përmes diplomave të përbashkëta dhe të dyfishta me universitetet italiane dhe ato të BE-së. Një universitet me standarde të larta e faktor në zhvillimin rajonal e i marrëdhënieve akademike Shqipëri-Itali.
Në takim u diskutua për bashkëpunim të ngushtë akademik përmes hapjes së programeve të përbashkëta midis UAMD dhe Universitetit Aldo Moro dhe me Universitetin Politeknik të Barit.
