
AKSK shpall Maratonën Kombëtare të Sigurisë Kibernetike për studentët
Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike (AKSK) ka shpallur nisjen e Maratonës Kombëtare të Sigurisë Kibernetike, një kompeticion gjithëpërfshirës që synon të forcojë aftësitë praktike të studentëve të universiteteve dhe shkollave teknike në fushën e sigurisë dixhitale. Gara do të zhvillohet nga 1 gusht deri më 27 dhjetor 2025 dhe do të ndahet në katër faza, përmes platformës ndërkombëtare SimSpace, ku studentët do të përballen me skenarë realë të sulmeve kibernetike në formatin Capture the Flag (CTF).
Institucionet e ftuara mund të regjistrojnë ekipe prej 5 deri në 10 studentë nga 15 deri më 30 korrik. Gjatë maratonës, pjesëmarrësit do të kenë asistencë nga ekspertët e AKSK dhe do të ndjekin renditjen në kohë reale, duke fituar eksperiencë të vlefshme dhe mundësi për përfshirje në projekte kombëtare e rajonale. Në fund do të shpërblehen institucioni me performancën më të lartë dhe studenti më i mirë individualisht.