Rektori mirëpret delegacionin nga Universiteti i Miskolcit, Hungari

Sot, në kuadër të përpjekjeve për ndërkombëtarizimin e Universitetit “Aleksandër Moisiu”, u zhvillua një takim me përfaqësues nga Universiteti i Miskolcit, Hungari, në kuadër të një partneriteti akademik ndërkombëtar dhe të Programit Erasmus+.

Rektori i UAMD, Prof. Dr. Shkëlqim Fortuzi, priti në takim një grup prej shtatë pedagogësh dhe përfaqësuesish institucionalë nga universiteti hungarez, të cilët ndanë përvoja, ide dhe projekte të përbashkëta me stafin akademik dhe studentët e universitetit tonë. Kjo vizitë është pjesë e aktivitetit të shkëmbimeve akademike që zhvillohen brenda Programit Erasmus+, i cili përfundon më 31 korrik 2025, dhe që synon të nxisë mobilitetin akademik dhe bashkëpunimin ndërkombëtar në arsimin e lartë.

Në fjalën e tij, pas një prezantimi të hollësishëm mbi strukturën, kapacitetet dhe prioritetet strategjike të UAMD-së, Rektori Fortuzi nënvizoi rëndësinë e forcimit të marrëdhënieve me universitetet evropiane, në veçanti përmes diplomave të dyfishta, bashkëpunimit shkencor dhe zhvillimit të projekteve të përbashkëta kërkimore dhe zhvillimore. Ai shprehu gatishmërinë për të zgjeruar më tej hapësirat e bashkëpunimit me Universitetin e Miskolcit, si një partner i besuar në procesin e ndërkombëtarizimit të UAMD-së.

Të dyja palët ndanë bindjen se, edhe pse statusi i përkohshëm i universiteteve hungareze në raport me Bashkimin Evropian paraqet një sfidë, ai mund të shihet njëkohësisht si një mundësi për të eksploruar forma alternative të bashkëpunimit akademik, që sjellin përfitime të ndërsjella për institucionet e arsimit të lartë.

Ky takim është një hap konkret drejt ndërkombëtarizimit të UAMD.
Strategjia jonë për ndërkombëtarizim përfshin bashkëpunime të qëndrueshme dhe projekte të përbashkëta, duke e pozicionuar UAMD gjithnjë e më shumë si një qendër e rëndësishme e arsimit, kërkimit dhe bashkëpunimit evropian në Shqipëri.

sqAlbanian