UNIVERSITETI “ ALEKSANDËR MOISIU” DURRËS DHE JUNIOR ACHIEVEMENT OF ALBANIA TË FTOJNË TË BËHESH PJESË E KLUBIT TË DEBATIT TË UNIVERSITETIT

Klubi i Debatit është ngritur dhe funksionon që prej vitit 2019 dhe përfshin studentë të Fakulteve dhe viteve të ndryshme. Klubi u ofron studentëve të përfshirë në të një mjet për të ndërtuar kulturën e debatit dhe të kërkimit, u jep mundësi të jenë të rinj të angazhuar, pjesë e një rrjeti debatuesish kombëtar e ndërkombëtar e të zhvillojnë përgjegjshmëri sociale.

 

Partneriteti i Universitetit me JAA u ka mundësuar çdo vit studentëve, pjesë të këtij Klubi, të  marrin njohuri e aftësi nga trajnimet e zhvilluara nga JAA mbi Formatin e Debatit, Mendimin Kritik dhe Komunikimin në Publik.

 

Përfshirja në rrjetin JAA u jep mundësi studentëve të marrin pjesë në gara kombëtare e ndërkombëtare e të zgjerojnë aftësitë dhe kontaktet e tyre me të rinj e profesionistë edhe përtej auditoreve ku studiojnë.

Nëse:

  1. Je student i Universitetit,
  2. Ke vullnetin dhe dëshirën për të qenë pjesë e kësaj eksperience frytdhënëse për ty dhe brezat e ardhshëm të këtij Universiteti,

 

Dërgo në adresën zyraekomunikimit@uamd.edu.al

  1. CV tënde
  2. letër motivimi.

Koordinatori i Klubit të Debatit do t’ju kontaktojë mbi rezultatin e aplikimit tuaj.

 7 PËRFITIMET NGA TË QËNIT DEBATUES

  1. Debati është mënyrë e shkëlqyer për t’u takuar me njerëz të këndshëm, interesantë, intelektualisht stimulues jo vetëm në universitetin, por në të gjithë botën.

 

  1. Si debatues, do të plotësoni formimin tuaj akademik duke përvetësuar mendimin kritik, dëgjimin aktiv, si edhe do të zhvilloni aftësi komunikimi shumë të çmuara në jetën tuaj personale dhe profesionale.

 

  1. Aftësitë që do të zhvilloni si debatues do ti zbatoni në jetën tuaj akademike. Ato do të kenë një ndikim shumë pozitiv në mënyrën se si t’i trajtoni pyetjet gjatë provimeve, si të përgjigjeni gjatë një provimi me gojë, ose si të shkruani një ese apo punim diplome.

 

  1. Debati ju forcon vetëbesimin. Do t’ju japë gjithmonë e më shumë arsye për t’u thelluar në bindjet tuaja, por ndërkohë edhe do t’ju ulë nivelin e sigurisë absolute. Do t’ju ndihmojë të bëheni dëgjues më të mirë dhe mendimtarë më të thellë e do t’ju edukojë tolerancën, pasi do të aftësoheni për të kuptuar këndvështrimin e të tjerëve.

 

  1. Debatimi ju pajis me informacion dhe njohuri mbi të kaluarën dhe të tashmen, si edhe mbi një shumëllojshmëri dukurish shkencore dhe shoqërore, ndërkohë që ju ekspozon përballë mijëra idesh. Kështu që do të mësoni shumë gjëra interesante për të cilat nuk do të kishit dëgjuar kurrë nëse do të qëndronit jashtë debatit.

 

  1. Do të përmirësoni aftësitë tuaja gjuhësore në gjuhën amtare, por do të përmirësoni edhe njohuritë në gjuhën angleze, pasi shumica e turneve ndërkombëtare të debatit mbahen në anglisht.

 

  1. Aftësitë që ju zhvillon debati do t’ju bëjnë më tërheqës në sytë e punëdhënësit të mundshëm.
sqAlbanian