Universiteti “Aleksandër Moisiu”, Durrës, në gjithë veprimtarinë e tij synon në mënyrë të vazhdueshme të arrijë standardet akademike më të larta bashkëkohore kombëtare dhe ndërkombëtare, si dhe të përkrahë aspiratat arsimore dhe arritjet e cilitdo që kërkon të përfitojë nga arsimi i lartë.
Me misionin e tij, universiteti ka për qëllim: “nxitjen dhe zhvillimin e të menduarit kritik e analitik, si dhe ndjenjës së përgjegjësisë dhe angazhimit ndaj njeriut, komunitetit, kulturave, ngjarjeve e çështjeve të ndryshme që shqetësojnë individin dhe komunitetin”
Universiteti i Durrësit në formën e tij moderne është themeluar në vitin 2006, por gjurmët e tij shtrihen në vitin 1380, duke e bërë një nga institucionet më të vjetër në Europë. Universiteti i Studimeve të Durrësit (latinisht: Universitas Studiorum Dyrrhachium) është krijuar rreth vitit 1380, por për shkak të sulmeve osmane është tërhequr në Zarë për të themeluar Studium Generale, ose Universitetin e Zarës, me Rektor të Parë Gjon Durrsakun.
Filozofia e punës në UAMD është “studenti në qendër të vëmendjes”, që do të thotë se gjithçka që ndodh në universitet që nga procesi mësimor, shërbimet, aktivitetet dhe mjetet janë në shërbim të studentit. Kjo bëhet e mundur, nëpërmjet një stafi dinamik të zgjedhur dhe të përkushtuar, një ambjenti të kompjuterizuar që mundëson kontakte të vazhdueshme me botën akademike perëndimore dhe nëpërmjet veprimtarive të larmishme ekstrakurrikulare.
This will close in 0 seconds