Gazetari dhe Marrëdhënie me Publikun

 

Përshkrimi i Programit:

  • Lloji i programit: Programi “Gazetari dhe Marrëdhënie me Publikun” është një program bachelor (niveli 6 i KSHK) me një total prej 180 kreditesh.

  • Kohëzgjatja: Programi është i organizuar për një periudhë 3 vjet akademike.

Programi i studimit bachelor në Gazetari dhe Marrëdhënie me Publikun është konceptuar për të rinjtë që kanë përfunduar ciklin e mesëm të studimeve dhe dëshirojnë të ndjekin studimet universitare në fushën e  Gazetarisë dhe Marrëdhënieve me Publikun. Ky program synon të aftësojë studentët në studimin e thelluar të teorive dhe modeleve bashkëkohore të komunikimit, marrëdhënieve me publikun dhe gazetarisë, të ndara sipas disa prej fushave kryesore të zbatimit të tyre në politikë, në shoqërinë civile, biznes, industri mediatike etj. Programi, synon gjithashtu, të përgatisë specialistë komunikimi të aftë për t’u angazhuar në menaxhimin e marrëdhënieve publike në sektorë të ndryshëm. Theks i veçantë i vihet forcimit të aftësive konkrete profesionale përmes studimit të strategjive bashkëkohore, si dhe modeleve më të suksesshme të gazetarisë dhe Marrëdhënieve me Publikun.

Përveç dimensionit akademik dhe teorik kjo diplomë ofron edhe lëndë me një theks të qartë praktik që lejon studentët të përfshihen në aktivitete konkrete formuese dhe aplikative. Ky program thekson kompetencën akademike në fushën e gazetarisë dhe Marrëdhënieve me Publikun dhe krijon bazat e nevojshme për studime më të thelluara në Master.

Ky është një program ndёrdisiplinor, me theks të barabartë në tё dy disiplinat (gazetari dhe marrëdhënie publike). Ky program studimi synon të ofrojë elementet dhe mjetet e nevojshme për zhvillimin aftësive si në fushën e Gazetarisë ashtu dhe në fushën e Marrëdhënieve me Publikun dhe në veçanti të formojë profesionistë të aftë për tregun e punës.

Programi Bachelor në “Gazetari dhe Marrëdhënie me Publikun” zhvillon një sërë aftësish, si ato menaxhuese, këshilluese, politike dhe analitike.

Objektivat:

  • Të përgatisë studentë me formim të thelluar profesional në fushën e Gazetarisë tradicionale dhe asaj moderne. Studentët do të jenë të aftë të kuptojnë dhe përvetësojnë konceptet bazë të gazetarisë.
  • Ky program synon të ndihmojë studentët që të zhvillojnë aftësitë e të menduarit kritik, të njohin rolin dhe rëndësinë që ka transmetimi i informacionit në mediat e një shoqërie të lirë, si edhe rëndësinë e veçantë që ka komunikimi dhe marrëdhëniet me publikun brenda institucioneve publike dhe private.
  • Të përgatisë studentë të aftë për të punuar si Këshilltar politik, të zhvillojë mendimin kritik dhe të përgatisë për hartimin e strategjive komunikative,
  • Të rrisë aftësitë teorike dhe praktike duke ofruar njohuri të thelluara mbi fushën e gazetarisë dhe marrëdhënieve me publikun. Të zhvillojë mendimin kritik të studentëve në analizën e çështjeve dhe situatave të ndryshme .
  • Të përmirësojë aftësitë analizuese dhe komunikuese të studentëve, duke kontribuar në zhvillimin personal dhe të karrierës së tyre.
  • Të përgatisë studentë të aftë në përvetësimin e teknikave, instrumenteve dhe metodave bashkëkohore, sasiore dhe cilësore, për kërkimin shkencor në disiplinën e gazetarisë dhe të marrëdhënieve me publikun, si dhe në publikimin e rezultateve të tyre të kërkimit.

Pikat e forta të këtij programi studimi janë:

  • Staf i kualifikuar dhe me eksperiencë në ofrimin e moduleve përkatëse
  • Mundësi për vazhdimësinë e studimeve të ciklit të dytë në profilin e Masterit Profesional në “Komunikim Publik”
  • Ambiente mësimore dhe rekreative me standarde bashkëkohore, të pajisur me logjistikën e nevojshme
  • Bibliotekë të pasur më literaturë vendase dhe të huaj në fushën e Gazetarisë dhe Marrëdhënieve me Publikun. e cila posedon edhe koleksione digjitale në këto disiplina
  • Programi është ndërtuar në përputhje me vizionin, misionin e Institucionit, nevojat e tregut, objektivat e reformës së arsimit të lartë në vend dhe të Procesit të Bolonjës dhe ka të integruar përvojën më të mirë bashkëkohore të huaj dhe vendase.
  • Literatura e përdorur gjatë programit mësimor është e përditësuar me literaturë shkencore ndërkombëtare të 5 viteve të fundit, të shtëpive botuese si Oxford University Press, Cambridge University Press, McGraw-Hill, Sage, Routledge.
  • Mundësi pjesëmarrjeje në aktivitetet ekstrakurrikulare, si ëorkshop-e, seminare, trajnime mbi negociata, partneritete, përdorimin e teknologjisë së informacionit, që organizon UAMD, në bashkëpunim me partnerë publikë apo privatë.
  • Ka një bashkëpunim të vazhdueshëm me ekspertë të fushës së Gazetarisë dhe Marrëdhënieve me Publikun jashtë institucionit, të cilët mbajnë leksione të hapura dhe marrin pjesë në aktivitetet shkencore organizuar nga Departamenti.

Pyetje të shpeshta nga maturantët…

Cilat janë kriteret e pranimit në program?

Kandidatët duhet të kenë përfunduar me sukses maturën shtetërore dhe të plotësojnë kriterin e notës mesatare të përcaktuar me VKM.

Çfarë mundësish punësimi ofron ky program?

Ky program përgatit studentët për të punuar në media, institucionet publike dhe private, organizata joqeveritare, agjenci PR dhe iniciativa private në komunikim dhe marrëdhënie me publikun

Çfarë përfshin kurrikula e programit?

Kurrikula përfshin lëndë teorike dhe praktike në fushën e gazetarisë dhe marrëdhënieve me publikun, duke përfshirë modula të komunikimit politik, raportim lajmesh, diplomaci publike dhe gazetari online.

Cila është kohëzgjatja e programit dhe numri i krediteve?

Programi bachelor “Gazetari dhe Marrëdhënie me Publikun” zgjat 3 vite akademike dhe ka gjithsej 180 kredite të ndara në 6 semestra.