Master Shkencor

Ekonomi Biznesi

 

Përshkrimi i Programit:

Masteri Shkencor në Ekonomi Biznes është një nga programet më atraktive të diplomimit pasi ofron një mundësi unike për të studiuar çështje të rëndësishme ekonomike.  Është program i avancuar i studimeve universitare, me një kurrikul bashkëkohore në ndihmë të studentëve për ti përgatitur ata për tregun e punës. Gjatë studimeve Master, studentët do të hulumtojnë dhe analizojnë çështje ekonomike nëpërmjet analizës së të dhënave me modele ekonometrike dhe statistikore. 

Gjatë programit dyvjeçar, studentët do të punojnë me teori dhe metoda në lidhje me lëndët si: ekonomiksi i zhvillimit, ekonomiksi menaxherial, ekonomiksi i çështjeve sociale, ekonomiksi ndërkombëtar, i tregut të punës, mikroekonomi dhe makroekonomi e avancuar, politikat ekonomike dhe rregullimi i tregjeve, etj,. Metodat e mësimdhënies ndryshojnë në varësi të lëndës dhe aktivitetit të të nxënit. Studentët janë gjithmonë të ftuar në mënyrë aktive për të marrë pjesë në diskutime dhe për të kontribuar në përvojën e të nxënit në auditor. Masteri Shkencor në Ekonomi Biznes është dizenjuar në mënyrë të tillë që t’ju mundësojë studentëve të analizojnë dhe të rekomandojnë zgjidhjen e fenomeneve dhe proceseve ekonomike.

Programi Master Shkencor në Ekonomi Biznes i drejtohet të sapodiplomuarve në studimet bachelor të cilët kanë filluar karrierën apo janë në pritje të fillimit të punës, të punësuarve me profil ekonomiks apo edhe fushave të tjera, që shprehin gatishmëri dhe interes për këtë program me qëllim të avancimit të tyre në karrierë. Fokusi i tij janë studentët që kanë kryer me sukses studimet bachelor në këtë program, por programi është i ndërtuar në atë mënyrë që t’i integrojë edhe studentët e fushave të tjera të ekonomisë apo edhe studentët e profileve të tjera.

Bashkohu me studentët tanë dhe bëhu pjesë e jetës akademike aktive, përvojave ndërkombëtare të shkëmbimeve studentore dhe kontakteve me tregun e punës gjatë viteve të studimit.
Zgjidh UAMD-në për të pasur qasje në të gjitha mundësitë dhe lehtësitë që ofrohen për studentët.

Pse duhet të studioni në këtë program?

Objektivi kryesor i programit master në Ekonomiks është që të shpërndajë njohuri, zhvillojë aftësitë teorike dhe analitike të studentëve dhe të sigurojë ekspertë të ardhshëm, me kompetencë dhe aftësi të kërkuara nga zhvillimi bashkëkohor ekonomik dhe ekonomia e tregut. Për më tepër ky program synon të përgatisë studentët që:

  • Të kuptojnë në një nivel më të avancuar mekanizmat kompleks ekonomikë që i karakterizojnë shoqëritë moderne;
  • Të aplikojnë teorinë dhe metodat në një nivel më të avancuar për fusha të zgjedhura të ekonomisë (p.sh. treg të punës, sektorin publik, në tregtinë ose financat ndërkombëtare) përmes kërkimeve të pavarura.
  • Të identifikojnë, përpilojnë, interpretojnë dhe analizojnë të dhënat sasiore dhe cilësore ekonomike duke shprehur marrëdhëniet midis koncepteve përmes grafikëve, analizave statistikore dhe ekonometrike.
  • Të kenë aftësi që të përdorin argumente në praktikë, të bazuara në teorinë ekonomike, që të jenë në gjendje që të formulojnë rekomandime për marrjen e vendimeve në sektorin publik dhe privat si dhe aftësi që të analizojnë efektet e politikave.
  • Të transferojë ekspertizë në një sërë fushash studimi në shkenca ekonomike.
  • Të transferojë kompentencat në aspektin teorik dhe empirik nga bazat deri tek aplikimet e politikave ekonomike.
  • Të pajisë me njohuri rreth instrumentave të nevojshëm për ndjekjen e një program Doktoratë në Shkenca Ekonomike.

Ku mund të punësoheni pas përfundimit të studimeve

Programi i studimeve Master Shkencor në Ekonomi Biznes, ka si qëllim të formojë punonjës kërkimorë dhe specialistë me profil shkencor Ekonomik, si vazhdim i studimeve Bachelor. Synimi i këtij cikli studimesh është përgatitja e studentëve për tregun e punës në sektorë të tillë si:

  • Banka Qëndrore,
  • Bankat e nivelit të dytë,
  • Institucionet Financiare
  • Institucione të sektorit publik dhe privat

Në organizata qeveritare ose jo qeveritare që merren me projekte në fushën e Ekonomiksit.