Teknologji Informacioni

Përshkrimi i Programit:

Programi i studimit “Teknologji Informacioni” pranë departamentit me të njëjtin emër i siguron studentëve një përgatitje dhe edukim në një fushë mjaft premtuese dhe gjithmonë dinamike në zhvillimet e saj. Duke qënë një degë mjaft e kërkuar në tregun e punës, jo vetëm në nivel kombëtar, ky drejtim është i orientuar në përmbajtje të kurrikulave për t’u përshtatur më së miri me kërkesat më të fundit të tregut të punës. Studentët gjatë përgatitjes së tyre njihen me zhvillimet teknologjike të sistemeve kompjuterike, teknologjisë së kompjuterave dhe pajisjeve që shërbejnë sot jo thjesht si mjete komunikimi, por si mjete dhe mekanizma që lehtësojnë aktivitetet, ku në thelb, qëndron ruajtja e të dhënave dixhitale, përpunimi i tyre si dhe transmetimi i sigurt.

Bashkohu me studentët tanë dhe bëhu pjesë e jetës akademike aktive, përvojave ndërkombëtare të shkëmbimeve studentore dhe kontakteve me tregun e punës gjatë viteve të studimit.
Zgjidh UAMD-në për të pasur qasje në të gjitha mundësitë dhe lehtësitë që ofrohen për studentët.

Qëllimi i programit

 Informacioni sot është i një natyre mjaft specifike dhe duke qënë tërësisht i automatizuar dhe i shpërndarë në pajisje të cilat i bashkojnë karakteristika të ndryshme po aq sa i ndan distanca fizike, nevoja për të ndërtuar sisteme kompjuterike të cilat realizojnë komunikimin dhe përpunimin e informacionit nuk është kurrë e mjaftueshme. Misioni i këtij drejtimi dhe programi është përgatitja e të diplomuarve dhe specialistëve me njohuri të mjaftueshme për t’u përshtatur me kërkesën për ndërtimin, projektimin, si dhe përdorimin e sistemeve që përdorin teknologjinë si mjet ndihmës në përpunimin e Informacionit. Gjatë periudhës së studimit, teoria dhe praktika mësimore shkrihen në mënyrë organike. Nevoja për profesionistë të fushës së Teknologjisë së Informacionit qëndron gjithmonë në një trend konstant për të mos thënë në rritje, çka e bën këtë drejtim studimi konkurrues në tregun e punës.

Ku mund të punësoheni pas përfundimit të studimeve?

Tregu përthithës i studentëvë të diplomuar në fushën e Teknologjisë së Informacionit është mjaft i gjerë dhe ofrues shumë i mirë i aplikimit të njohurive të përvetësuara gjatë periudhës së studimit. Kompani të ndryshme që merren me përpunim dhe transmetim informacioni, institucione bankare e financiare, apo edhe punësime si profesionistë të lirë mund të jenë disa prej ambienteve ku studentët e diplomuar mund të gjejnë veten. Manaxhim i projekteve të ndryshme në nivel teknik, ndërtimi i sistemeve me bazë rrjetat kompjuterike, sistemeve të automatizuar inteligjentë bazuar mbi gjuhë të ndryshme programimi janë disa nga njohuritë që studentët përvetësojnë në dobi të shfrytëzimit pastaj me sukses në ambiente pune.