Histori dhe Marrëdhënie Ndërkombëtare

 

Përshkrimi i Programit:

Ky program studimi ka për qëllim formimin profesional të specialistëve në fushën e historisë së marrëdhënieve ndërkombëtare. Ai i aftëson studentët të analizojnë kompleksitetin dhe proceset e politikës botërore dhe të marrëdhënieve multidimensionale ndërmjet shteteve në këndvështrimin historik. Ky program studimi i pajis studentët me njohuri mbi historikun e marrëdhënieve ndërkombëtare, si dhe konceptet e praktikat kryesore. Gjithashtu studentët fitojnë njohuri edhe në nënfusha të disiplinës dhe çështje relevante, si globalizimi, zhvillimi ekonomik, të drejtat e njeriut, paqja dhe siguria ndërkombëtare, krizat dhe menaxhimi i tyre etj. Ndërsa lëndët me karakter praktik të këtij programi studimi synojnë të aftësojnë studentët për t’u përfshirë në aktivitete konkrete të administrimit të çështjeve ndërkombëtare në vend, rajon dhe më gjerë.

Zgjerimi i njohurive dhe të kuptuarit e zhvillimeve historike, përmes aftësive analitike dhe kritike ndaj ngjarjeve aktuale dhe periudhave të shukuara të vendit, rajonit dhe botës.

Objektivat janë:

  • Të përgatisë studentë me formim të përgjithshëm dhe deri diku të thelluar profesional në fushën e historisë së marrëdhënieve ndërkombëtare. Studentët do të jenë të aftë të kuptojnë, analizojnë dhe vlerësojnë trendet në politikën, ekonominë, kulturën, komunikimin dhe legjislacionin ndërkombëtar.
  • Të zhvillojë mendimin kritik të studentëve në analizën e çështjeve të ndryshme ndërkombëtare.
  • Të rrisë aftësitë e politikë-bërjes dhe vendim-marrjes së studentëve, duke kombinuar teorinë me praktikën.
  • Të aftësojë studentët në përdorimin e teorive të marrëdhënieve ndërkombëtare për shqyrtimin e ngjarjeve dhe politikës ndërkombëtare.
  • Të përmirësojë aftësitë negociuese dhe komunikuese të studentëve, duke kontribuar në zhvillimin personal dhe të karrierës së tyre.
  • Të përgatisë studentë të aftë në përvetësimin e teknikave, instrumentave dhe metodave bashkëkohore, sasiore dhe cilësore, për kërkimin shkencor në disiplinën e historisë së marrëdhënieve ndërkombëtare, si dhe në publikimin e rezultateve të tyre të kërkimit.

Profili kulturor dhe profesional i studentit në përfundim të programit:

Programi i studimit Bachelor “Histori e Marrëdhënieve Ndërkombëtare” ka synim të përgatisë specialistë me formim teorik e praktik në këtë disiplinë. Njohuritë e thelluara dhe kompetencat e fituara në këtë program studimi, të tilla si: aftësi konjitive të bashkëpunimit ndërshtetëror në fusha të ndryshme, analiza kritike dhe krahasuese të çështjeve ndërkombëtare, aftësi të shkrimit akademik, vlerësimi i dinjiteti njerëzor dhe diversitetit kulturor, aftësi komunikuese etj., kontribuojnë në përgatitjen profesionale dhe personale të studentëve, duke lehtësuar integrimin e tyre në tregun e punës.

Sektorët potenciale të punësimit të studentëve në përfundim të programit “Histori e Marrëdhënieve Ndërkombëtare” janë në shërbimin diplomatik, institucionet e pushtetit qendror, institucionet kërkimore-shkencore, organizatat ndërkombëtare, OJF-të, korporatat shumëkombëshe, sektorin e medias, etj.

Njohuritë dhe kompetencat që karakterizojnë programin:

Studentët që përfundojnë programin e studimit “Histori e Marrëdhënieve Ndërkombëtare” kanë fituar njohuritë dhe kompetencat e mëposhtme:

  • Zotërojnë njohuri mbi konceptet kyçe, praktikat dhe historinë e marrëdhënieve ndërkombëtare.
  • Posedojnë aftësi konjitive për marrëdhëniet ndërmjet shteteve në planin politik, ekonomik, social, kulturor, ekologjik, etj.
  • Demonstrojnë njohuri në disa nënfusha të disiplinës së marrëdhënieve ndërkombëtare.
  • Analizojnë në mënyre kritike ngjarje dhe çështje të ndryshme ndërkombëtare.
  • Analizojnë në mënyre diakronike dhe sinkronike politikat ekonomike, sociale, kulturore e të sigurisë së bashkëpunimit ndërkombëtar.
  • Demonstrojnë aftësi të kërkimit shkencor.
  • Aplikojnë teori të marrëdhënieve ndërkombëtare.
  • Demonstrojnë aftësi të komunikimit verbal dhe jo-verbal në fushën e marrëdhënieve ndërkombëtare.

Mundësitë për punësim

Programi Bachelor në “Histori e Marrëdhënieve Ndërkombëtare” ofron mundësi të mira për punësimin e studentëve në sektorët e mëposhtëm:

  • Shërbimin diplomatik të Republikës së Shqipërisë.
  • Institucione të administratës shtetërore që kanë në fokus marrëdhëniet politike, shkëmbimet ekonomike-tregtare, ndërveprimin kulturor, çështje të sigurisë ndërkufitare, probleme ekologjike etj.
  • Organizata ndërkombëtare, OJF, që kanë për qëllim zhvillimin ekonomik rajonal e global, bashkëpunimin politik, politikat e sigurisë në rajon, promovimin e diversitetit kulturor, mbrojtjen dhe respektimin e lirive dhe të drejtave të njeriut, etj.
  • Institucione dhe qendra studimore, të cilat kanë për objekt të kërkimit të tyre zgjerimin e bashkëpunimit të Shqipërisë me vendet e rajonit, integrimin e vendit në Bashkimin Evropian, marrëdhëniet e Shqipërisë me vendet anëtarë të NATO-s, Këshillit të Evropës, etj.
  • Në sektorët e medias së shkruar dhe elektronike, që mbulon politikën e jashtme dhe marrëdhëniet ndërkombëtare.

Pyetje të shpeshta nga maturantët…

Cila është kohëzgjatja e programit dhe numri i krediteve?

Programi Bachelor “Histori e Marrëdhënieve Ndërkombëtare” zgjat 3 vite akademike dhe ka gjithsej 180 kredite.

Çfarë përfshin programi i studimit?

Programi ofron njohuri mbi historinë dhe teoritë e marrëdhënieve ndërkombëtare, me theks në çështje si diplomacia, globalizimi, siguria ndërkombëtare dhe të drejtat e njeriut, duke kombinuar teorinë me praktikat e fushës.

Cilat janë kriteret e pranimit në këtë program?

Kandidatët duhet të kenë përfunduar shkollën e mesme dhe të kenë një mesatare të përcaktuar sipas VKM.

Cilat janë mundësitë e punësimit pas përfundimit të këtij programi?

Studentët mund të punësohen në shërbimin diplomatik, organizata ndërkombëtare, OJF, institucione qeveritare, si dhe në sektorët e medias dhe kërkimit shkencor.

sqAlbanian