Në maj 2025, Fakulteti i Edukimit i Universitetit të Durrësit do të organizojë një Panair të Lojërave në kuadër të lëndës “Edukimi përmes Lojës”. Ky aktivitet do të ofrojë një mundësi të shkëlqyer për studentët e degëve të Edukimit dhe Psikologjisë që të eksperimentojnë dhe të zbulojnë lojëra edukative që mund të përdoren në mjedise shkollore dhe edukative për të stimuluar zhvillimin e fëmijëve.
Panairi do të përfshijë një gamë të gjerë lojërash edukative dhe aktivitete interaktive, të cilat do të shërbejnë si mjetet për të zhvilluar aftësitë kognitive, sociale dhe emocionale të fëmijëve. Gjatë këtij panairi, studentët do të kenë mundësinë të aplikojnë dhe demonstrojnë lojërat që ata kanë zhvilluar gjatë semestrit, duke përfshirë lojëra për zhvillimin e gjuhës, kreativitetit, logjikës dhe bashkëpunimit.