Departamenti i Statistikës dhe Informatikës së Zbatuar

Përshkrimi i Departamentit të STATISTIKËS DHE INFORMATIKËS SË ZBATUAR

Departamenti i Statistikës dhe Informatikës së Zbatuar në Fakultetin e Biznesit, Universiteti “Aleksandër Moisiu” Durrës, është një njësi akademike e përkushtuar për zhvillimin e kompetencave ndërdisiplinore në fushat e statistikës dhe informatikës së zbatuar në ekonomi.

Programi i studimit “Bachelor në Informatikë Ekonomike” ofron një qasje të balancuar ndërmjet formimit teorik dhe praktik për të pajisur studentët me aftësi në analizimin dhe zgjidhjen e problemeve të lidhura me teknologjinë dhe ekonominë. Me një kurrikul prej 180 kreditesh të shpërndara gjatë tre viteve akademike, ky program përgatit specialistë në:

  • Dizajnimin dhe menaxhimin e sistemeve informatike për biznes.
  • Programimin dhe zhvillimin e aplikacioneve kompjuterike.
  • Analizën dhe interpretimin e të dhënave ekonomike.
  • Sigurimin e cilësisë dhe sigurisë informatike.

Departamenti përbëhet nga një staf i kualifikuar prej shtatë anëtarësh, të cilët kanë tituj dhe ekspertizë në fusha si statistika, ekonometria, metodat e kërkimit dhe teknologjitë informatike. Kjo ekspertizë garanton një përgatitje të gjithanshme për studentët, duke mbuluar tematika të rëndësishme si analizat ekonomike, menaxhimi i bazave të të dhënave dhe zhvillimi i aplikacioneve për biznes elektronik.

Në përfundim të studimeve, të diplomuarit janë të përgatitur për të kontribuar në sektorë të ndryshëm publikë dhe privatë, duke aplikuar njohuritë e tyre në zhvillimin dhe implementimin e strategjive moderne të informatikës ekonomike.

Programet e Studimit

Informatika Ekonomike

Bachelor

Stafi:

Përgjegjës DepartamentiDr. Altin GJINI

Dr. Gjini është diplomuar në Financë nga Universiteti i New York-ut në Tiranë dhe ka marrë Bachelor of Science nga State University of New York (ESC) në 2006. Në 2014, ka fituar gradën Doktor i Shkencave Ekonomike me temën “Tre Esej mbi Rritjen Ekonomike të Vendeve të Europës Jug-Lindore” në UAMD. Ai ka punuar në Doganat dhe si lektor në UAMD, duke dhënë lëndë si Mikroekonomia, Makroekonomia dhe Ekonometri. Aktualisht, është Përgjegjës i Departamentit të Statistikës dhe Informatikës së Zbatuar në Fakultetin e Biznesit, UAMD. Fokus kërkimor: politika makroekonomike dhe analiza empirike mbi rritjen ekonomike.

LektorProf. Dr. Luljeta GJONI

Prof. Luljeta Gjoni është lektore e brendshme në Universitetin “Aleksandër Moisiu” që nga viti 2018, aktualisht pranë Departamentit të Statistikës dhe Informatikës së Zbatuar, Fakulteti i Biznesit. Me formim dhe specializim në Matematikë, ajo fokusohet në mësimdhënie të lëndëve “Matematikë”, “Analizë Matematike” dhe “Matematikë Financiare”.
Ka përfunduar studimet në Universitetin e Gjirokastrës (1996), Master në Matematikë në Universitetin e Tiranës (2001) dhe Doktoraturën në Universitetin Politeknik të Tiranës (2006). Me titullin “Profesor i Asociuar” (2011) dhe “Profesor Doktor” (2014), ka kryer studime postdoktoraturë në Greqi.

 

LektorProf. Ass. Dr. Brunela TREBICKA

Dr. Trebicka është lektore në Departamentin e Marketingut në Universitetin “Aleksandër Moisiu”, Durrës. Ajo ka diplomë Bachelor në Financë nga Universiteti i Tiranës, Master Shkencor në Administrim Biznes nga Universiteti i New York-ut dhe Doktoratë në Ekonomiks nga UAMD. Me titullin “Profesor i Asociuar” (2015), ajo ka përvojë si menaxhere në sektorin privat.
Dr. Trebicka është autore e tekstit “Metodat e Kërkimit Shkencor” dhe mbi 33 publikimeve shkencore në revista dhe konferenca ndërkombëtare. Ndër to përfshihen: “Kosto e Informalitetit të Firmës” (2016) dhe “Modeli MIMIC për Ekonominë Informale” (2014).

LektorProf. Ass. Dr. Eda BEZHANI

Ka përfunduar studimet Bachelor dhe Master të Nivelit të Parë në Agrobiznes në Universitetin Bujqësor të Tiranës (2007) dhe Master të Nivelit të Dytë në Marketing Agroalimentar në Institutin Agronomik Mesdhetar në Zaragoz, Spanjë (2008). Doktoraturën e ka përfunduar në Universitetin “Aleksandër Moisiu”, Fakulteti i Biznesit (2009-2014).
Që prej vitit 2007, është pedagoge e brendshme në Departamentin e Marketingut në UAMD, ku lektoron lëndë si “Metodat e Kërkimit Shkencor” dhe “Historia e Mendimit Ekonomik”. Në vitin 2015 ka marrë titullin “Profesor i Asociuar”.

LektorPhD Kandidat Marsida ABDUL

Marsida Abdul është diplomuar për Ekonomiks në Universitetin e Tiranës. Prej vitit 2013 ka koordinuar programet e Menaxhimit të SME-ve dhe Hoteleri-Turizmit në Fakultetin e Studimeve të Integruara me Praktikën të UAMD-së, duke shërbyer gjithashtu si lektore. Ka marrë pjesë aktive në konferenca shkencore dhe evente për sipërmarrjen rinore, si Techstars StartUp Weekend dhe Startup Grind Tirana. Që prej janarit 2022, është lektore me kohë të plotë në Departamentin e Statistikës dhe Informatikës së Zbatuar të Fakultetit të Biznesit në UAMD, ku ndjek studimet doktorale. Ajo është e përkushtuar ndaj motivimit dhe zhvillimit të të rinjve.

LektorDr. Agim NDREGJONI

Dr. Agim Ndregjoni është lektor i Departamentit të Shkencave Ekonomike në Universitetin “Aleksandër Moisiu”, Durrës, që prej shkurtit 2009. Ai mban diplomë në Ekonomiks dhe Master në Administrim Biznesi nga Universiteti i Tiranës, si dhe Doktoratë në Shkencat Ekonomike. Është gjithashtu Kontabël i Miratuar nga Ministria e Financave.
Ka përvojë si menaxher projektesh në sektorin privat dhe ka prezantuar punime shkencore në konferenca dhe revista kombëtare e ndërkombëtare. Fushat e tij kërkimore përfshijnë analizën e tregut dhe paqëndrueshmëritë ekonomike rajonale e kombëtare.

This will close in 0 seconds

sqAlbanian