Përshkrimi i Programit:
Programi i Menaxhimit të Ndërtimit është një fushë e specializuar që fokusohet në menaxhimin efikas të projekteve ndërtimore, duke përfshirë të gjitha fazat e ciklit të jetës së një ndërtimi, nga projektimi deri tek përfundimi i tij. Ky program i ofron profesionistëve aftësi dhe njohuri të thella për menaxhimin e resurseve, kohës, buxhetit dhe cilësisë, duke siguruar që projektet të realizohen brenda afateve dhe buxheteve të caktuara.
Nëpërmjet këtij programi, studentët mësojnë se si të drejtojnë dhe menaxhojnë projekte ndërtimi me sukses, përmes një kombinimi të teorisë dhe praktikës në menaxhimin e projekteve, ndërtimit, inxhinierisë, ligjit dhe drejtimit të ekipit. Ata gjithashtu zhvillojnë aftësi për të analizuar rreziqet, për të vlerësuar dhe menaxhuar burimet njerëzore dhe materiale, dhe për të përdorur teknologji të avancuara për monitorimin dhe kontrollin e projekteve ndërtimore.

Përgatitje pedagogjike dhe metodologjike për të maksimalizuar suksesin e studentëve të “Menaxhim Ndertimi”
Pse duhet të studioni në këtë program?
Të diplomuarit në këtë Degë fitojnë mjetet që të kenë sukses kudo në fushën e menaxhimit të ndërtimit. Përveç matematikës së aplikuar dhe lëndëve shkencore, studentët marrin aftësi kompjuterike dhe njohuri për materialet e ndërtimit, aftësohen në hartimin e vlerësimeve teknike të proceseve të punës në ndërtim dhe njohin kodet dhe rregulloret e vlerësimit ekonomik të proceseve të ndërtimit.
Të gjithë këto faktorë bëjnë që të diplomuarit të kenë aftësi të propozojnë dhe të menaxhojnë në aktivitete biznesi të ndërtimit. Të gjitha kërkesat e mësipërme janë në përputhje të plotë me ndryshimet e fundit në standartet e industrisë së ndërtimit të cilët evidentojnë aftësitë dhe dijet që punonjësit e ndërtimit duhet të kenë në mënyrë që të mbikqyrin dhe menaxhojnë bizneset e ndërtimit.
Lidhja e tyre me praktikën profesionale i bën ata të aftë në organizimin dhe drejtimin e çdo nënkontraktori privat që vepron në fushën e ndërtimit.
Ku mund të punësoheni pas përfundimit të studimeve?
Të diplomuarit tanë mund të punësohen në të gjithë kantieret e ndërtimit brenda vendit dhe në rajon. Pozicionet e punës mund të jenë ato të zbatuesit apo të menaxherit të sitit, asistentë inxhinierë të projektit, si dhe asistentë zyrtarë ekzekutiv në firmat e mëdha të ndërtimit.
Disa të tjerë mund të punësohen në sektorët e shitjes së materialeve të ndërtimit apo edhe si inspektorë në nyjat e specializuara për prodhimin e materialeve të ndërtimit. Gjthashtu mund të punësohen edhe tek entet shtetërore të ndërtimit (degët teknike të tyre), sidomos ato që kanë të bëjnë drejtpërdrejtë me zhvillimin dhe monitorimin e hapësirave ndërtimore.
Ata mund t’a gjejnë veten shumë mirë në çdo sektor publik i cili merret me punimet dhe investimet në fushën e ndërtimit.
Të diplomuarit tanë mund të ngrenë biznesin e tyre privat të mirëmbajtjes së godinave të ndryshme të ndërtimit.