Studenti i UAMD-së e di që janë udhëheqësit që drejtojnë shoqëritë. Dhe e di shumë mirë që kompanive, organizatave të shoqërisë civile, klubeve sportive, universiteteve, jetës sociale dhe politike, shkurt, së ardhmes, i japin udhë udhëheqësit.
Ai e di që fillesa, formësimi dhe zhvillimi i udhëheqësisë fillon, bash, me jetën studentore. Ndaj gjithmonë përpiqet të zbulojë veten, teksa synon të bëhet udhëheqës në jetën studentore. Organizimeve dhe jetës sociale brenda universitetit, studenti u vë shpatullat. Kjo të bën lider.
Studenti i UAMD-së punon pa reshtur për të zhvilluar cilësitë e tij të udhëheqësisë, të cilat nuk i ka të mbrujtura në kodin e tij gjenetik, por i arrin me punë. Studenti i UAMD-së, e di që një udhëheqës i mirë duhet të jetë një orator i mirë. Ndaj, çdo ditë e më shumë, ai e zhvillon veten në këtë drejtim.