Misioni dhe Vizioni

Universiteti “Aleksandër Moisiu”, Durrës

Universiteti “Aleksandër Moisiu”, Durrës, në gjithë veprimtarinë e tij synon në mënyrë të vazhdueshme të arrijë standardet akademike më të larta bashkëkohore kombëtare dhe ndërkombëtare, si dhe të përkrahë aspiratat arsimore dhe arritjet e cilitdo që kërkon të përfitojë nga arsimi i lartë.

Me misionin e tij, universiteti ka për qëllim: “nxitjen dhe zhvillimin e të menduarit kritik e analitik, si dhe ndjenjës së përgjegjësisë dhe angazhimit ndaj njeriut, komunitetit, kulturave, ngjarjeve e çështjeve të ndryshme që shqetësojnë individin dhe komunitetin”

QËLLIMI

Formim Profesional për Karriera të Suksesshme në Një Shoqëri në Zhvillim

Nëpërmjet programeve universitare mësimore-shkencore të një niveli të përparuar e bashkëkohor teorik, metodik e praktik, të përgatisë profesionalisht specialistë të lartë në fusha që përmbushin nevojat e individëve dhe punëdhënësve duke i përgatitur të diplomuarit për karriera të shumëllojshme në tregun konkurues të punës në përputhje me kërkesat dhe nevojat e shoqërisë në ndryshim dhe zhvillim.

Arsim Universitar Evropian me Standarde Ndërkombëtare

Studimet universitare zhvillohen në përputhje me rregullat dhe parimet e Hapësirës Evropiane të Arsimit të Lartë. Diplomat ofrohen në dy gjuhë (shqip dhe anglisht) dhe vlerësimi shprehet sipas Sistemit Evropian të Transferimit të Krediteve (ECTS) dhe Sistemit Amerikan të Krediteve, për të krijuar lehtësi lexueshmërie, transferimi dhe vazhdimi të studimeve universitare në universitetet e tjera brenda dhe jashtë vendit.

Inovacion dhe Ekselencë në Edukimin dhe Kërkimin Shkencor

Të kryejë studime shkencore për të zhvilluar më tej dijen në profilet shkencore që lëvron;Të ofrojë kualifikim të vazhdueshëm e bashkëkohor për personelin akademik në fushat që mbulon;Nëpërmjet programeve universitare të përgatitë specialistë të profileve të caktuara ose të ngushta për fushat që mbulon ose për fusha të reja që dalin, për t’iu përgjigjur nevojave kombëtare e rajonale.

Avancim Akademik dhe Formim Shkencor për Brezat e Ardhshëm

Nëpërmjet punës kërkimore-shkencore të nivelit më të përparuar të formojë shkencëtarë të rinj në fushat që mbulon;

Nëpërmjet programeve kryen kualifikime shkencore të personelit akademik në të gjitha fushat e shkencave të mirëfillta teorike dhe në fushat e shkencave të zbatuara dhe metodike-administrative që mbulon;

Të tërheqë specialistët më të mirë dhe të inkurajojë me të gjitha mënyrat kontributin e tyre, vazhdimisht në rritje, në fushat përkatëse.

Historia e Universitetit

  • Universiteti i Durrësit në formën e tij moderne është themeluar në vitin 2006, por gjurmët e tij shtrihen në vitin 1380, duke e bërë një nga institucionet më të vjetër në Europë. Universiteti i Studimeve të Durrësit (latinisht: Universitas Studiorum Dyrrhachium) është krijuar rreth vitit 1380, por për shkak të sulmeve osmane është tërhequr në Zarë për të themeluar Studium Generale, ose Universitetin e Zarës, me Rektor të Parë Gjon Durrsakun.

  • Burime që dalin nga arkivat dhe bibliotekat e Kuvendit Françeskan dhe Kuvendit Domenikan në Dubrovnik, njoftojnë për të parin universitet në Ballkan, Universitetin e Durrësit, i themeluar nga dominikanët durrsakë të Kuvendit të Shën Maurit që vepronin në Durrës prej vitit 1224.
  • Është i njohur fakti se profesori Gjon Durrsaku ishte caktuar si rektori i parë i Universitetit të Zarës (1396). Në Universitetin e Zarës thuhet, shprehimisht, se “Rektori i parë ishte Gjon Durrsaku, qëkur Universiteti i Durrësit u zhvendos në Zarë për shkak të kërcënimit turk në Europën Juglindore”.
  • Një tjetër personalitet i Universitetit të Durrësit, që po zbulohet rishtazi, ishte Ndre Durrsaku (mesi shek. XIV-13 qershor 1393). Ai njihet si doktor i shkencave teologjike (Universiteti i Bolonjës, 1380), ndërsa në vitin 1387 qe emëruar arqipeshkëv i Arqipeshkvisë së Raguzës.

Universiteti Modern

  • Në formën e tij moderne, Universiteti “Aleksandër Moisiu” Durrës, çeli dyert për herë të parë në vitin akademik 2006-2007 me rreth një mijë studentë nga i gjithë vendi. Me hapjen e Universitetit “Aleksandër Moisiu”, nuk ishte për qëllim hapja e një institucioni të ri në vend, por hapja e një institucioni ndryshe, i cili do të sillte eksperiencat më të mira akademike perëndimore.

Filozofia jonë

Filozofia e punës në UAMD  është “studenti në qendër të vëmendjes”, që do të thotë se gjithçka që ndodh në universitet që nga procesi mësimor, shërbimet, aktivitetet dhe mjetet janë në shërbim të studentit. Kjo bëhet e mundur, nëpërmjet një stafi dinamik të zgjedhur dhe të përkushtuar, një ambjenti të kompjuterizuar që mundëson kontakte të vazhdueshme me botën akademike perëndimore dhe nëpërmjet veprimtarive të larmishme ekstrakurrikulare.

Një institucion ndryshe

  • Mënyra e zhvillimit të procesit mësimor, procedurat e kontrollit të dijes, rekrutimi i stafit akademik, këshillimi i studentëve, shërbimi i bibliotekës universitare dhe kërkimi shkencor kanë si qëllim realizimin e një përvoje akademike unike në vend, që nuk përjashton asnjë element domethënës të universiteteve evropiane dhe atyre amerikane.

UAMD Sot

  • Sot, Universiteti “Aleksandër Moisiu” ka 5 fakultete: Fakulteti  i Biznesit, Fakulteti i Edukimit, Fakulteti i Teknologjisë së  Informacionit, Fakulteti i Shkencave Politike-Juridike dhe Fakulteti i Studimeve Profesionale. Në këta fakultete numërohet rreth 20 mijë studentë në të tre ciklet e studimit.
sqAlbanian