Fakulteti i Edukimit, si një nga njësitë kryesore të Universitetit “Aleksandër
Moisiu” (UAMD), ka hapur dyert për studentët në Tetor 2006, me Vendim të
Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë, nr.801 Dt. 20.12.2005.
Prej fillimit, Fakulteti i Edukimit është bazuar në praktikat dhe përvojat akademike
më të mira perëndimore për përgatitjen e individëve të kualifikuar në shkencat e
edukimit dhe fushave të ngjashme me to, duke u bërë një ndër institucionet e
arsimit të lartë në fushën e shkencave të edukimit më të vlerësuara dhe të kërkuara
në vend.
Filozofia e Fakultetit të Edukimit, në të gjitha aktivitetet dhe proçeset e tij
akademike dhe shkencore ka qenë “studenti në qendër të vëmendjes”, duke nxitur
tek ata kërkimin e vazhdueshëm të zhvillimit dhe edukimit. Gjithashtu, një rëndësi
të veçantë ne i kushtojmë përcjelljes së vlerave njerëzore dhe qytetare, duke u
mbështetur në etikën profesionale, vlerat universale, si edhe përftimin e një kulture
të gjerë pluraliste në mënyrën e gjykimit dhe reagimit ndaj situatave.
Institucioni lëshon diploma të plota, në gjuhën shqipe dhe angleze dhe vlerësimi
bëhet sipas sistemit ECTS dhe atij amerikan. Kjo, u mundëson studentëve tanë,
lexueshmëri dhe njohje të diplomës në vende të ndryshme të botës, si për studime
dhe kualifikime të mëtejshme, edhe për punësim.
Kur hapi dyert për herë të parë në vitin akademik 2006-2007, FE uli në auditorët e
tij për të studiuar me kohë të plotë rreth 354 studentë nga të gjitha trevat e vendit.
Sot, Fakulteti i Edukimit numëron 7734 studentë të diplomuar, nga të cilët 4075
studentë në nivelin e parë të studimeve dhe 3659 studentë në nivelin e dytë, nga
Shqipëria, diaspora, por edhe studentë jo shqiptarë.
Adresa:
New University Campus, Miqësia Street, Spitallë, Durrës, 2009, Albania.
Orari:
e Hënë-e Dielë
8:00-16:00
Zgjidh UAMD për të studiuar me pedagogët më të mirë shqiptarë dhe profesorë të ftuar nga universitete europiane dhe amerikane. Bashkohu me studentët tanë dhe bëhu pjesë e jetës akademike aktive, përvojave ndërkombëtare të shkëmbimeve studentore dhe lidhjes me tregun e punës.