Në kuadër të Projektit BECEE, Universiteti “Aleksandër Moisiu” Durrës (UAMD) pati kënaqësinë të mirëpriste një sesion mentorimi mbi temën “Branding for Entrepreneurship”, të udhëhequr nga Znj. Aliona Zeqiri, sipërmarrëse, CEO e A&A Group of Companies dhe një nga figurat më të spikatura të industrisë së travel retail në Shqipëri, e vlerësuar me çmimin ndërkombëtar “World Leader Businessperson 2024”.

Gjatë sesionit, studentët eksploruan elementët kryesorë që ndërtojnë marka të suksesshme, duke kuptuar se si qëllimi, identiteti, përvoja e klientit dhe pozicionimi strategjik shndërrohen në avantazhe konkurruese afatgjata. Përmes shembujve ndërkombëtarë dhe ushtrimeve praktike, pjesëmarrësit fituan njohuri mbi:
- Identitetin e markës
- Propozimin e vlerës dhe pozicionimin në treg
- Branding i orientuar drejt klientit
- Komunikimin efektiv të markës
- Ndërtimin e avantazhit konkurrues të qëndrueshëm
Duke ndarë eksperiencën e saj si lidere që ka transformuar konceptin e përvojës së udhëtarëve në Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës, Znj. Zeqiri tregoi se si kombinimi i vizionit strategjik, storytelling, identitetit kulturor dhe fokusit te klienti mund të shndërrojë një ide biznesi në një markë të dallueshme dhe të suksesshme.



Sesioni i sfidoi studentët të mendojnë përtej produktit apo shërbimit, duke i inkurajuar të ndërtojnë marka që frymëzojnë besim, krijojnë vlerë dhe ndërtojnë lidhje të qëndrueshme emocionale me klientët.
Ky aktivitet përbën një kontribut të rëndësishëm në misionin e Projektit BECEE për forcimin e aftësive sipërmarrëse dhe fuqizimin e brezit të ri të inovatorëve, sipërmarrësve dhe liderëve të së ardhmes. becee.org

