
Në kuadër të Marrëveshjes së Bashkëpunimit të nënshkruar ndërmjet Fakultetit të Shkencave Politike dhe Juridike, Universiteti “Aleksandër Moisiu” Durrës dhe Ambasadës së Republikës së Kosovës në Shqipëri, u organizua një aktivitet përkujtimor me rastin e 26-vjetorit të Çlirimit të Kosovës.
Në këtë aktivitet morën pjesë studentët e ciklit të dytë të studimeve, Master në Marrëdhënie Ndërkombëtare dhe Diplomatike, nën kujdesin akademik të znj. Mirela Metushaj.
Pjesë e veçantë e këtij organizimi ishte ligjërata e mbajtur nga Ambasadori i Republikës së Kosovës, Sh.T.Z. Shkënder Durmishi, i cili solli në vëmendje domethënien historike të kësaj dite, e cila shënon fundin e një periudhe të errët të përndjekjeve, dhunës, shkatërrimeve dhe krimeve të kryera nga regjimi serb ndaj popullsisë shqiptare në Kosovë.
Ambasadori Durmishi theksoi rëndësinë e datës 12 Qershor 1999, kur pas 78 ditësh ndërhyrjeje ushtarake të Aleancës Veriatlantike (NATO), e udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kundër caqeve ushtarake serbo-malazeze, trupat paqeruajtëse të KFOR-it hynë në Kosovë. Kjo ndërhyrje ndërkombëtare i dha fund luftës së përgjakshme dhe gati dyvjeçare ndërmjet Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe forcave ushtarake e policore serbo-malazeze, duke hapur rrugën drejt paqes dhe shtetformimit të Kosovës.
Fakulteti i Shkencave Politike Juridike UAMD, shpreh mirënjohjen e veçantë ndaj Ambasadorit të Republikës së Kosovës në Shqipëri, Sh.T.Z. Shkënder Durmishi, për praninë dhe ligjëratën e tij të çmuar, si dhe falënderon studentët për pjesëmarrjen aktive në këtë aktivitet me rëndësi historike dhe akademike.