Universiteti “Aleksandër Moisiu” Durrës është pranuar zyrtarisht si anëtare me të drejta të plota në UniAdrion, rrjetin akademik ndërkombëtar që bashkon mbi 55 universitete nga 10 vende të Rajonit Adriatiko-Jonian. Ky zhvillim i rëndësishëm për universitetin tonë u formalizua gjatë Asamblesë së Përgjithshme të UniAdrion, mbajtur më 4-5 maj 2025 në Universitetin e Janinës, Greqi, me rastin e 25-vjetorit të krijimit të rrjetit, i themeluar në vitin 2000 me Deklaratën e Ravenës.
UAMD u përfaqësua në këtë aktivitet nga Prof. Dr. Azeta Tartaraj, Zv. Rektore për Kërkimin Shkencor, e cila prezantoi universitetin tonë dhe theksoi rolin që UAMD i kushton ndërkombëtarizimit, bashkëpunimit ndëruniversitar dhe zhvillimit të kërkimit shkencor si komponentë thelbësore të misionit të tij akademik. Gjatë fjalës së saj, ajo nënvizoi gatishmërinë e UAMD për të kontribuar aktivisht në rrjetin UniAdrion përmes projekteve të përbashkëta, mobilitetit të studentëve dhe stafit, si dhe shkëmbimit të praktikave më të mira në arsim dhe kërkim.
Anëtarësimi në UniAdrion përfaqëson një hap strategjik për forcimin e profilit ndërkombëtar të UAMD dhe zgjerimin e mundësive për studentët dhe stafin akademik në nivel rajonal dhe evropian. Përmes këtij rrjeti, UAMD bëhet pjesë e iniciativave të përbashkëta në fusha si zhvillimi blu, cilësia mjedisore, turizmi i qëndrueshëm, sfidat sociale dhe politikat zhvillimore – në përputhje me Strategjinë e BE-së për Rajonin Adriatiko-Jonian (EUSAIR).