Në kuadër të aplikimeve nën programin Erasmus+, Komponenti i Rritjes së Kapaciteteve për Arsimin e Lartë (Capacity Building in Higher Education), për vitin 2022, UAMD është shpallur fitues në 4 projekte në cilësinë e partnerit.
Përfshirja në projektet e ndërtimit të kapaciteteve do të shërbejë për trajnimin e stafit dhe studentëve, si dhe do të kontribuojë për ndërtimin e një infrastrukture më të zhvilluar në Fakultetet e UAMD-së.
- Partneritet për Promovimin dhe Popullarizimin e Lëvizshmërisë Elektrike përmes Transformimit dhe Modernizimit të Programeve të Studimit të IAL-ve të vendeve të Ballkanit Perëndimor (PELMOB)
Objektivi madhor i projektit PELMOB është të përmirësojë cilësinë e arsimit të lartë në fushën e Lëvizshmërisë Elektrike (EM) në përputhje me tendencat e vendeve të BE-së, kontributin, promovimin dhe popullarizimin e EM-së, të forcojë rëndësinë e tij për tregun e punës dhe shoqërinë përmes krijimit dhe organizimit të shoqatave të EM-së, me qëllim rritjen e ndërgjegjësimit në vendet e Ballkanit Perëndimor.
- Përmirësimi i Menaxhimit dhe Qeverisjes përmes Mësimdhënies (MAGNET)
Projekti MAGNET synon të zhvillojë një rrjet për Pedagogjinë Universitare në vendet e Ballkanit Perëndimor, përmes transferimit të njohurive nga vendet që kanë Qendra të Mësimdhënies dhe Mësimnxënies (CTL) funksionale, në të gjitha vendet partnere. Aktivitetet e këtij projekti synojnë rritjen e cilësisë dhe rëndësisë së ofrimit të arsimit të lartë, nënvizojnë rëndësinë e të nxënit dhe të mësimdhënies si mision thelbësor për veprimtaritë e mësimdhënies dhe mësimnxënies për t’u orientuar suksesit të studentëve.
- Kurse të arsimit të lartë në Gazetari të të dhënave në vende të Ballkanit Perëndimor (WEBJOU)
Projekti WEBJOU synon të promovojë shkëmbimin e njohurive dhe inovacionin multidisiplinar të mësimdhënies dhe të nxënit në vendet e Ballkanit Perëndimor, në lidhje me sigurimin e të gjitha njohurive dhe aftësive, veçanërisht nga fusha të tilla si shkenca e të dhënave, statistikat, vizualizimi dhe komunikimi, i nevojshëm për të funksionuar me efektivitet në kornizat e gazetarisë së të dhënave dhe komunikimit të të dhënave.
- Transformimi i gjelbër përmes teknologjisë Internet of Things (IoT) për shoqërinë akademike dhe ekosistemin e orientuar drejt biznesit në Ballkanin Perëndimor (IoT-ECO)
Mbështetje ndaj IAL-ve të vendeve të Ballkanit Perëndimor drejt transformimit të gjelbër dhe rrjetëzimit, për të nxitur bashkëpunimin përmes teknologjisë Internet of Things (IoT).
Digjitalizimi i krijuar me zgjidhje IoT do të jetë një mundësi kyç për zbatimin e Agjendës së Gjelbër të BE-së për vendet e Ballkanit Perëndimor në pesë shtyllat prioritare në përputhje me konceptin e tranzicionit të dyfishtë të gjelbër dhe digjital.